Nga ambasadorja e re e SHBA, te integrimi, Mimi Kodheli në A2

Nga A2 CNN
28 Janar 2020, 13:55 | Politikë
Nga ambasadorja e re e SHBA, te integrimi, Mimi Kodheli në A2

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ishte e ftuar në Ditarin e orës 13:00, nga ku komentoi situatën aktuale politike që është duke kaluar vendi.

Kodheli komentoi ardhjen e ambasadores së re të SHBA, foli për integrimin, reformën në drejtësi, por edhe për dekriminalizimin.

Pritshmëritë nga ambasadorja e re, Yuri Kim

“Ishte më shumë se sa e nevojshme që Ambasada të plotësohej me titullarin primar. Politika e Amerikës, e presidentit të SHBA-ve, është e njëjtë kur flitet për Shqipërinë. Ata janë gjithmonë me ne. Shpesh biem në grackën se kush ambasador është i lidhur me krahët politikë, por politika vazhdon të mbetet e njëjtë. Ata vazhdojnë të na mbështesin, madje janë duke punuar fortë për të sjellë një politik të re kur flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Këshilli i BE-së mblidhet sërish në mars për një përgjigje decizive, një test i radhës

“Optimizmi vinte për shkak të bërjes së detyrave të shtëpisë dhe nuk është e nevojshme t’i kthemi arsyes se pse nuk u hapën negociatat. Në atë kohë ne kishim të dhëna që nuk na lejonin të ishim optimistë. Unë besoj që me mbështetjen e vazhdueshme të Merkel dhe të të gjithë dashamirësve dhe vendeve që besojnë të zgjerimi, ne do të mundësojmë një përgjigje pozitive këtë herë. Kushtet e Bundestagut janë vazhdim i detyrave tona të përcaktuara kohë më parë. Nuk ishin 9 kushte të reja, por 9 piketa për të vazhduar rrugën që kemi nisur”

“Përgëzoj praninë e opozitës në tryezën për reformën zgjedhore”

“Uroj që politika në përgjithësi, mediat, të mund ta mbështesin këtë gjë, si një nga gjërat më pozitive që ka nisur ky vit. Kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë dhe koha vërtetoi se politikisht u gabua shumë nga opozita për lënien e mandateve. Është mirë të reflektojmë, por shpresoj që të bëjmë diçka të mirë këtë vit për politikën që do t’i bëjë mirë të ardhmes. Pak rëndësi ka sistemi, por rëndësi ka të fillojmë të ndërgjegjësohemi si politik dhe si shoqëri që zbatimi i drejt i ligjit të sjellë leximin e drejt të votës. Askush nuk ka të drejtën që të ngrejë gishtin kundër tjetrit, pasi të tërë kemi qenë pjesë e të njëjtës valle”.

Reforma në drejtësi

“Një proverb thotë: ‘Më mirë djepi bosh, sesa gjarpri në të’. Për hatër të të pasurit të një institucioni që ka një emër dhe disa anëtarë, por që deri dje ka rezultuar që nuk kanë qenë të denjë për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, është më mirë të ishim pa këtë. Më mirë me cilësi se sa me figurën e gjykatës. Ne e dinim se do të kishte mungesa. Jemi penguar edhe me ligjin e Magjistraturës. Të gjitha këto i ka bërë politika. Të gjitha këto kanë qenë artifica për të mos patur sukses reforma. Por mbështetje e dashamirësve tanë ndërkombëtarë, ka bërë të mundur që reforma të vazhdojë sot. Unë mendoj se duhet t’i japim kohë për t’i bërë gjërat si duhet”.

“Ligji i vet-deklarimit shumë i fortë, përgjegjësi e individëve jo e subjektit”

“Ligji i vet-deklarimit është një ligj shumë i fortë. Unë besoj që ata që filluan të merren me politik, e morën lehtë këtë ligj. Nuk dua të hyjë të gjykojë të kaluarën të kaluarën e asnjë shqiptari. Shumëkush mund të ketë gabuar në jetë, por për shkak të ligjit të fortë, nuk duhet të merret me politik dhe as të përfaqësojë politikisht votuesit shqiptarë. Ky ligj nuk ngarkon subjektin kur individi nuk ka deklaruar atë që duhet. Është nën përgjegjësinë tënde personale. Por nuk dua të merrem me individët. Kur kjo bëhet e njohur, reagimi që forca politika ka është ai që të ketë vlerë, të ketë valencë. Ka pasur raste, kur njerëz të dënuar me vendim të formës së prerë, jo vetëm që nuk janë hequr nga puna, por kanë qenë në krye të administratës tatimore me vulën e shtetit në shtëpi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos