Nga arsimi te pandemia, si e vlerësojnë ekspertët mandatin e dytë

Nga A2 CNN
1 Shtator 2021, 09:30 | Politikë
Nga arsimi te pandemia, si e vlerësojnë ekspertët mandatin e

“Në tërësi, bilanci i qeverisjes është pozitiv”.

Me këto fjalë, kryeminstri Edi Rama i vuri notën kabinetit të tij në mbyllje të mandatit të dytë qeverisës, ndërsa vlerësoi dhe analizoi personalisht punën e gjithsecilit prej ministrave. Por, sa objektiv është vlerësimi i kryeministrit për punën e tij?

“Nëse qeveria do të bënte një analizë reale të aktivitetit 4-vjeçar, duhet të ishte më transparente dhe më reale. Të kishte një dokument referues, siç ka pasur një program në 2013-n. Kjo analizë i ka munguar”, tha analisti Afrim Krasniqi.

Qeveria “Rama 2” u përball shpejt me probleme, kur mijëra studentë mbushën sheshet kryesore në vend, në protestë ndaj ligjit për arsimin e lartë. Protestat sollën largimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ndërsa Rama arriti të shuante zërin studentor, me Paktin për Universitetin. 

Agred Tafaj tha: “Pakti për Universitetin ishte sa për të mbyllur gojën, sot nuk kemi asgjë të realizuar, çdo nismë e marrë në Paktin për Universitetin, zgjati deri 1 vit pas protestës, për t’u zhbërë më pas”.

Pas shuarjes së protestave të studentëve, Qeveria nuk gjeti qetësi. Djegia e mandateve të opozitës dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore 2019 ishin ngjarje të paprecedenta që trazuan politikën.

“Është fat i madh për një kryeministër kur opozita largohet nga jeta politike dhe kur kthen të gjithë aktorët ndërkombëtarë kundër vetes. Kjo është pozita aktuale e PD-së dhe LSI-së”, deklaroi Krasniqi.

Qeverisja e kabinetit “Rama 2” mori një kthesë tjetër, kur vendi u godit nga një tërmet 6,4 ballë, i cili shkaktoi 51 humbje jetësh dhe mijëra banesa të dëmtuara. Mbledhja e 1.13 miliardë euro fonde për rimëkëmbjen ishin një sukses, por shumë familje ende nuk janë në shtëpitë e tyre. 

“Tërmeti erdhi si një dhuratë për qeverinë Rama, pasi justifikoi gjithë mungesën e planit ekonomik, defiçitin, e gjithçka tjetër. Por, tërmeti gjithashtu tregoi dhe njëherë se sa e papërgatitur ishte qeveria”, deklaroi Klodian Muço.

E si të mos mjaftonte tërmeti, pandemia solli me vete vështirësi të tjera ekonomike dhe sociale: “Qeveria dha 40 mijë lekë pagë lufte për të gjithë ata që mbetën të papunë, për 2 muaj e gjysmë pandemi, pra 17 mijë lekë në muaj, që me standard, është më e ulët se niveli jetik. Pra, asistenca që dha qeveria, ishte më pak seç i duhet minimalisht një njeriu për të jetuar në Shqipëri”.

Çfarë përmbys dëftesën e kryeministrit Rama për qeverinë e tij, lidhet me shpresën e vrarë për një jetë më të mirë në vend: “Fakti që të rinjtë nuk shohin shpresë dhe largohen masivisht, edhe pas 8 vitesh qeverisje, tregon që qeveria nuk ka mundur dot të rikthejë shpresën, më të rëndësishmen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos