Nga ndalimi i festimeve, te dënimet për pështyrjen, rregullat e futbollit në pandemi

Nga A2 CNN
7 Maj 2020, 13:17 | Futboll

Festimet në ekip, pështyrjet në fushë, përdorimi i shishes së njëjtë me ujë dhe ndërrimi i fanellave në fund të ndeshjes do të jenë të ndaluara sipas protokollit të ri që pritet të prezantohet për të bërë të mundur ristartimin e Premier League.

Klubet kryesore të Premier League duhet të vendosin të hënën për të rinisur apo jo pjesën e mbetur të sezonit, ndërkohë që Britania e Madhe ka nisur të relaksojë masat shtrënguese kundër koronavirusit.

Mes diskutimeve do të jenë dhe masat e reja të higjienës që pritet të qëndrojnë në fuqi për më shumë se një vit.

“Daily Telegraph” raporton se këto masa strikte do të fillojnë të aplikohen që në stërvitjen e ekipeve, në mënyrë që kur të rinisë sezonin lojtarët të jenë të mësuar me to.

Për shembull, pështyrja në fushën e lojës do të jetë e ndaluar gjatë seancave stërvitore dhe kjo gjë mund të vendoset dhe gjatë ndeshjeve. Me shumë mundësi arbitrat do të aplikojnë dhe ndëshkime për lojtarët që bëjnë këtë gjest gjatë 90 minutave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos