Gary Gillespie nuk e mban mend si ai dhe shokët e skuadrës e kanë festuar titullin kampion të Anglisë në vitin 1990. “Ndoshta u mblodhëm dhe shkuam për të pirë, duke kujtuar gjithçka të bukur kishim bërë gjatë atij sezoni”, thotë ish-mbrojtësi.
Futbollistët e asaj skuadre ndoshta nuk kishin arsye të veçanta për festë të papërmbajtshme. Ai ishte kampionati i 18 në historinë e klubit, ndërsa për Gillespie, titulli i tretë në 5 sezone. Liverpool i atyre viteve ishte një skuadër fituese. Ishte periudha kur “Reds” i fitonin trofetë njëri pas tjetrit. Festa nuk mungoi, për gjysmën e kuqe të qytetit të Liverpulit, që po jetonte një ëndërr. Një dekadë e shoqëruar nga 6 tituj kampion dhe shumë trofe. Gjithsesi, përjetimi ishte ai i një arritje që deri diku ishte kthyer në normalitet, pasi ekipi dhe tifozët arrinin te lavdia, të vetëdijshëm se ishin më të mirët në botë. Për cilësinë dhe ecurinë që kishte skuadra, te Liverpool besonin se suksesi do të vijonte edhe në sezonet e ardhshme, ose të paktën që skuadra do të rivalizonte.

Askush nuk e imagjinonte që sezoni 1989/1990 do të ishte vija e finishit për një periudhë të lavdishme. Një pikë fikse e asaj që ishte një fazë e paharrueshme e historisë së futbollit anglez.
“Të gjithë ishin mësuar me triumfet dhe ndoshta menduam se do të ishim sërish fitues. Por, në jetë, sa herë që diçka e cilëson të sigurt, ajo kthehet në të kundërt dhe të shkatërron. Pikërisht kjo i ndodhi Liverpoolit dhe prej asaj dite kanë kaluar 30 vjet pa fituar një titull”, shprehet Gillespie.
Viti 2020 duhej të ishte viti i duhur. Historia pritej të ndryshonte. Skuadra e Jurgen Klopp po dominonte Premier League, duke krijuar diferencë prej 25 pikësh me ndjekësit më të afërt të Manchester City. Reds ishin vetëm dy fitore larg sigurisë matematike që do të riktheheshin në krye të fronit të futbollit anglez. Kur të gjithë po përgatiteshin për festë, pandemia e koronavirusit prishi gjithçka. Futbolli, ashtu si e gjithë bota, ndaloi. Pa garancinë nëse sezoni mund të finalizohej. Pritja vazhdon edhe sot. Mes pasigurisë dhe ankthit. Ringritja e Liverpool pret vetëm faqen e fundit të historisë së suksesit.
Dekada e suksesshme e skuadrës në fushë, ndërmjet viteve 1980-1990, lidhet me një prej periudhave më të errëta të qytetit të Liverpulit. Skamja dominonte. Në krye të qeverisë ishte “Zonja e Hekurt” Margaret Thatcher, njerëzit luftonin për të mbijetuar. Puna në porte, të cilat i jepnin frymëmarrje ekonomisë së qytetit, ishin në krizë prej viteve ’70. Me tkurrjen e prodhimit, situata ekonomike ishte akute. Numri i popullsisë po binte, shtëpitë nëpër qytet po shndërroheshin në gërmadha dhe papunësia ishte e lartë. Për më tepër, Liverpuli ishte qyteti i parë në Mbretërinë e Bashkuar që u godit nga epidemia e heroinës, e cila shkatërroi një brez të tërë. Tifozët kujtojnë se ndërsa ata vuanin nga uria dhe mbanin radhë të gjata për të siguruar ushqimet bazike, gjatë ndeshjeve në stadium, tifozët londinezë të Chelsea u valëvisnin monedhat 20 paundëshe, duke kënduar: “Ne kemi shumë para”. Në një ditë të nxehtë korriku në vitin 1981, ndërsa rrugët e Londrës ishin mbushur nga njerëzit entuziastë për martesën e princit Charles me Dianën, 360 kilometër më në veri të ishullit, qyteti i Liverpulit po digjej.

Kushteve të rënduara ekonomike, të cilave u shtohej edhe tensioni ndërmjet policisë dhe komuniteteve afrikane dhe atyre nga Karaibet, bënë që në qytet të shpërthente revolta popullore. Trazirat, të cilat zgjatën 9 ditë, shkaktuan qindra të plagosur, dhjetëra arrestime dhe një të vdekur. E referuar gjërësisht si “trazirat e Tokstith”, në Liverpul njihet si kryengritja. “Ishte një qytet pa lidership”, shkruante ministri i kabinetit, Michael Heseltine, në autobiografinë e tij. Ai ishte njeriu që ideoi projektin për ringjalljen e Liverpulit. Pas trazirave, ministrat më të afërt të Thatcher folën për "rënie të menaxhuar" të qytetit, por në vitin 2011 dosjet e Arkivit Kombëtar zbuluanse Geoffrey Howe, ministri i Financave në qeverinë e asaj kohe, paralajmëronte: “Nuk duhet të shpenzojmë të gjitha burimet tona të kufizuara, duke u përpjekur që ta bëjmë ujin të rrjedhë përpjetë”.
Gjatë asaj periudhe, banorët e Liverpulit e shihnin veten si të huaj në shtetin e tyre, të veçuar nga pjesa tjetër e Britanisë. Margaret Thatcher ishte polarizuar dhe radikalizuar. Një qytet i klasës punëtore, që jo gjithmonë kishte mbështetjen e të majtës politike, u kthye i kuq. Fatmirësisht, gjatë asaj kohe të përçarjes së madhe, njerëzit kishin futbollin. Liverpuli dhe Evertoni ishin dy prej skuadrave më të shquara angleze. Futbolli i dha popullit heronj të cilët mund t’i mbështeste, por mbi të gjitha shpresë.
Nga viti 1981 deri më 1990, dy klubet nga Merseyside fituan së bashku 9 tituj kampionë, dy Kupa të Evropës, një Kupë të Fituesve të Kupave, 3 FA Cup dhe 3 Kupa të Ligës. Skuadrat e Liverpulit u shndërruan në bastion të pathyeshëm, pasi trajneri Bill Shankly riorganizoi klubin në vitet ’60. Ecuria fantastike vazhdoi edhe me trajnerët e tjerë, nga Bob Paisley te Joe Fagan dhe Kenny Dalglish. Të gjithë ata dhanë kontribut unik në ngritjen e një dinastie.

Gary Gillespie kujton: “Luajta aty për 8 vjet. Në rastin më të keq, renditeshim të dytët në kampionat. Ky pozicionim ishte një dështim. Do të thoshte se kishe bërë një sezon të dobët, pavarësisht se mund të kishim fituar trofe të tjerë”. I larguar nga Liverpool për te Celtic në vitin 1991, Gillespie nënvizon se titulli kampion ishte gjithçka për skuadrat, mbi të gjitha në gjysmën e dytë të dekadës, kur klubet angleze u përjashtuan nga Evropa pas tragjedisë në Heysel në vitin 1985.
Ish-mbrojtësi tregon se “për asnjë moment nuk u rrëmbyen nga entuziazmi i fitoreve”. Një arsye ishin mbrëmjet që organizoheshin brenda ekipit. Për më tepër, stafi teknik i thërriste futbollistët “koka të mëdha” dhe nuk linin rast pa shfrytëzuar për t’i kthyer me këmbë në tokë. Lavdërimet ishin të rralla, edhe pse lojtarët e kishin të qartë se nuk ishte shumë e nevojshme, pasi rezultatet në fushë flisnin qartë. Ndërsa futbolli shpëtoi qytetin në atë dekadë të vështirë, ai ishte njëkohësisht edhe burim i dhimbjeve të mëdha.
Më 15 prill 1989, tifozët e Liverpulit u shtypën për vdekje në tribunat e Hillsborough në Sheffield, gjatë një ndeshje gjysmëfinale të FA Cup. 96 burra, gra dhe fëmijë humbën jetën në atë tragjedi, me hetimet që 28 vjet më pas dolën në përfundimin se “kjo ndodhi prej dështimit të policisë në marrjen e masave dhe neglizhencës kriminale të oficerit në komandë”.
Imazhet ishin tragjike. Lojtarët nga fusha panë të plagosurit dhe viktimat që transportoheshin mbi reklamat e fushës, të cilat u improvizuan si barela. I gjithë qyteti ra në zi. Humbjet ishin aq të mëdha, sa 38-vjeçari Dalglish, në atë periudhë trajner i skuadrës, merrte pjesë në 4 funerale në ditë. Dhimbja u shtua edhe nga akuzat false të publikuara në faqen e parë të "The Sun", media në pronësi të Rupert Murdoch, që menjëherë pas tragjedisë shkruante se tifozët e Liverpulit urinuan ndaj policisë dhe kishin vjedhur sendet me vlerë të viktimave. Natyrisht, një lajm i pavërtetë, versionin e të cilit tabloidi e ndryshoi, por “The Sun” mbetet edhe sot e kësaj dite një media armike e Reds.

Sipas Gillespie, “tragjedia la pasoja te shumë njerëz” dhe jo rastësisht futbollistët e asaj kohe nuk kanë dëshirë që të flasin rreth asaj teme. Pasojat shfaqën edhe në fushë. Gjatë atij viti, Liverpuli kampion në fuqi nuk e nisi sezonin në mënyrën më të mirë dhe ishte në ndjekje të Arsenalit. Në gjysmën e dytë të kampionatit, situata ndryshoi me 21 fitore në 24 ndeshje. “Reds” dhe “Topçinjtë” kishin një ndeshje direkte, e cila do të ishte si finalja e titullit. Transferta e Arsenalit në “Anfield”, e parashikuar në muajin prill u shty për javën e fundit të sezonit, prej tragjedisë në Hillsborough. Londinezët duhej me patjetër të fitonin në fushën e rivalëve, pavarësisht goditjes psikologjike të 6 ditëve më parë, ku Liverpool i kishte mposhtur në finalen e FA Cup. Mbrëmjen e së premtes të 26 majit 1989, ndodhi ajo që askush nuk e priste. Arsenali kryesonte 1-0 dhe vetëm pak sekonda përpara fundit të lojës, Michael Thomas dyfishoi shifrat, duke i dhuruar “Topçinjve” titullin kampion. Në përfundim të ndeshjes, lojtarët e Liverpulit u shembën në tokë. Trajneri Dalglish kishte një shikim të përhumbur dhe vështirë se e besonte atë që ndodhi. Pas tragjedisë, Reds po luanin tre ndeshje në javë dhe gjatë ditëve kur nuk ishin në fushë, merrnin pjesë në funeralet e tifozëve fatkeqë. Të gjithë ishin të shkatërruar psikologjikisht dhe fizikisht. Për të gjithë ata që e përjetuan sezonin 1988/89, kujtimi i asaj drame njerëzore dhe sportive ka mbetur i skalitur në memorie.
Liverpool u kthye në stërvitje pas katër javësh. Askush nuk foli më për humbjen me Arsenalin, apo për sezonin që kaloi.
“Trajneri, stafi, të gjithë në klub kishin si parim që asnjëherë të mos e kthenin kokën mbrapa. Vetëm të shihej nga e ardhmja, pa asnjë peng, pavarësisht nëse ishe shpallur kampion apo e kishe humbur titullin. Ky mentalitet ishte pjesë e ADN-së së klubit”, thekson Gillespie.
Blerja më e shtrenjtë e skuadrës gjatë asaj vere ishte mbrojtësi suedez, Glenn Hysen, i transferuar nga Fiorentina për 670 mijë dollarë amerikanë. Edicioni i ri nisi me ecurinë prej 8 ndeshjesh pa pësuar humbje, duke përfshirë këtu fitoren 9-0 ndaj Crystal Palace. E megjithatë, Liverpool nuk shkëlqente si në sezonet e kaluara. Humbja 4-1 ndaj Southampton rrezikoi të komplikonte kampionatin, edhe pse në pauzën dimërore Reds kryesonin renditjen, të ndjekur nga Aston Villa. Këta të fundit u penalizuan nga humbja në shtëpi me Manchester City dhe barazimi 3-3 përballë Norwich, duke ia bërë më të lehtë Liverpool-it fitimin e titullit. Më 28 prill 1990, Reds fituan 2-1 në Anfield përballë Queens Park Rangers dhe u shpallën kampionë. Triumfi në kampionat pas asaj dekade tragjike ishte tejet i rëndësishëm dhe një arritje e madhe. Skuadra ishte e suksesshme për vite me radhë dhe suksesi ishte një detyrim ndaj tifozëve të zjarrtë.
Ishte epoka kur smartphone dhe interneti wireless nuk ekzistonin dhe tifozët nuk kishin mundësi t’i ndiqnin rezultatet e ndeshjeve të tjera në kohë reale. Në atë botë, njeriu më i rëndësishëm ishte spikeri i stadiumit, i cili lajmëroi mbështetësit se Liverpool fitoi titullin e 6 kampion në 10 vjet. Lojtarët nisën paradën e fituesve në fushë, duke iu bashkuar entuziazmit të tifozëve, ndërsa tribunat oshëtinin nga kënga legjendare “You'll Never Walk Alone”. Emocionet e atij momenti ishin të pabesueshme. Liverpool u ringrit nga hiri dhe triumfoi sërish. Por, nëse do të thoje se Reds nuk do ta fitonin titullin në 30 vitet në vijim, të gjithë do të të shihnin si të çmendur. Liverpool e mori leksionin në fushë. Në fillimin e viteve ’90 edhe kjo skuadër legjendare kuptoi se pavarësisht madhështisë, asnjë skuadër nuk ka kohë të bëjë një pushim të vogël. Si ka thënë dikur trajneri legjendar i Reds, Bill Shankly: “Futbolli është i pamëshirshëm, ai rrjedh pambarimisht si një lumë”.
Në mëngjesin e 22 shkurtit 1991, kur kishin mbetur edhe 3 muaj nga mbyllja e sezonit 1990/91, Anfield ishte pushtuar nga televizionet, gazetarët dhe fotografët. Gazeta e qytetit, “The Liverpool Echo”, e kishte përgatitur faqen e parë, sepse e dinte çfarë do të ndodhte: ndërsa skuadra kryesonte me tre pikë distancë nga rivali më i afërt, trajneri Kenny Dalglish do të largohej.

Si futbollist me Liverpulin, Dalglish kishte fituar 3 kupa të Evropës, 5 tituj kampionë në Angli dhe 4 Kupa të Ligës. Në aventurën në stol, ai fitoi edhe 3 tituj dhe 2 FA Cup, duke përfshirë këtu edhe kampionatin dhe kupën brenda një sezoni si futbollist-trajner. Ai ishte njeriu që kishte mbajtur barrën e hidhërimit të të gjithë qytetit. Në një dokumentar, ku është cilësuar lojtari më i madh i historisë së Liverpool, familja e Dalglish zbuloi sa shumë kishte ndikuar ngjarja në Hillsborough. Netë pa gjumë, ndryshime të shpeshta të humorit, irritim i lëkurës me një skuqje që i mbulonte trupin, apo vështirësia deri në luftë të brendshme për të marrë edhe ato që ishin vendimet më të thjeshta. Ai gjithashtu mori drejtimin e skuadrës, menjëherë pasi 39 tifozë të Juventusit humbën jetën përpara finales së Kupës së Evropës, që klubi italian luajti me Liverpool në qytetin belg të Brukselit. Përkrahësit, ku më i riu në moshë ishte vetëm 11-vjeçar, humbën jetën në atë që njihet si Masakra e Heysel, një orë përpara nisjes së finales. Muri i shembur i tribunës dhe turma i shtypën viktimat, ndërsa rreth 600 tifozë të tjerë të Juventusit apo neutralë u lënduan. Sipas Gillespie, “në momentin kur Kenny u largua, gjithçka nisi të shkojë keq për Liverpool”. Përçarjet brenda skuadrës u thelluan pas humbjes në gjysmëfinalen e FA Cup ndaj Crystal Palace në vitin 1990. Shumë lojtarë ishin në fundin e karrierës, ndërsa trajneri i ri Graem Sunes bëri blerje të shtrenjta, por të papërshtatshme për ekipin.
50 kilometër më tej, rivalët e përbetuar të Manchester United ishin gati të dominonin epokën e re të futbollit anglez. Në vitin 1992 krijimi i Premier League, ashtu siç e njohim sot, solli një bum ekonomik: pasurim dhe globalizim të futbollit anglez. “Djajtë e Kuq” ishin të suksesshëm në fushë dhe lulëzuan në aspektin komercial. Gjatë një interviste të dhënë në vitin 2002, trajneri legjendar Sir Alex Ferguson, i cili e udhëhoqi skuadrën drejt 13 titujve kampionë, tha frazën e famshme: “Ta rrëzojmë Liverpulin nga froni”. Me 20 tituj të fituar, kundrejt 18 të Liverpool, Manchester United mund të vazhdojë të mburret, edhe pse skuadra e tanishme është shumë larg kohërave të lavdishme dhe prej vitesh nuk dominon në Angli.

Shumë prej tifozëve në Anfield i kanë të rezervuara vendet e tyre në stadium prej 5 dekadash, apo ndoshta më tepër. Kanë përjetuar kohën e sukseseve dhe emocioneve të mëdha, por fëmijët e tyre ende nuk e njohin emocionin e një titulli kampion që ngrihet në qiell. Në 30 vitet e fundit, Liverpool e ka mbyllur kampionatin në vendin e dytë me Rafael Benitez dhe Brendan Rodgers në stol, ndërsa në sezonin 2018-2019, ecuria e jashtëzakonshme me 97 pikë të grumbulluara nuk mjaftoi për të thyer Manchester City. Por, edhe gjatë këtyre sezoneve, Reds nuk janë shfaqur si skuadra më e mirë. Tifozët kanë ëndërruar, por asnjëherë nuk besuan plotësisht se “mallkimi” do të thyhej.
Gjithsesi, ky sezon ishte një histori krejt ndryshe. Pas triumfit në Champions League, Liverpool nisi dominimin në Premier League. Skuadra e Klopp la vetëm 5 nga 87 pikë të mundshme, në 29 ndeshje të luajtura. Asnjë ekip tjetër nuk e kishte dominuar elitën e futbollit anglez në këtë mënyrë, madje as skuadra legjendare e Arsenalit, e vetmja që e ka mbyllur kampionatin pa pësuar asnjë humbje. Ky sezon u pezullua për shkak të koronavirusit të ri dhe askush nuk mund të jape data të sakta nëse futbolli do të rinisë. Dëshira është që kampionati të mbyllet dhe verdiktet të jepen në fushë, qeveria angleze ka dhënë miratimin që futbolli të rikthehet, por gjithçka do të varet nga zhvillimet e pandemisë.
Pikëpyetjet janë të shumta. Në Anfield mbizotëron ankthi. Nëse kampionati do të anulohej përfundimisht, Reds do të rrezikonin të mos e merrnin trofeun. Zhgënjimi do të ishte tejet i madh, pas sezonit të kaluar kur e humbën titullin vetëm për një pikë diferencë nga Manchester City. Triumfi europian në Madrid në qershor të vitit 2019, me Jurgen Klopp që fitoi trofeun e parë madhor si trajner i Liverpool, forcoi besimin e tifozëve në kualitetin e ekipit. Ata besojnë, e megjithatë ankthi rritet në këto kohë pasigurish të mëdha, ku jeta është primare. Tifozët në tribunën Kop kanë kaluar netë pa gjumë, drejt ëndrrës që titulli të kthehet në Anfield. Për ata, triumfi në kampionat është mendimi i parë me të cilin zgjohen në mëngjes dhe gjëja e fundit që u kalon nëpër mend përpara se të flenë. Pritja stresuese është amplifikuar nga zhgënjimi i dy sezoneve të fundit, kur titulli ishte aq pranë, por në fund objektivi nuk u realizua. Besimi te mbështetësit e Liverpool u shtua pas fitores së lehtë të regjistruar në muajin janar ndaj rivalëve të Manchester United. Nëse deri në atë kohë të gjithë mendonin se ishte shumë shpejt për të festuar titullin, pas ndeshjes në Anfield u dëgjuan këngët e para “titulli është i yni”. Në tribuna u shfaq edhe një baner i ri ku shkruhej: “Zogu po ngjitet sërish në lartësi”.
Megjithatë, viktimat dhe vuajtja e shkaktuar nga pandemia Covid-19 ndryshuan perspektivën e mënyrës si shihet situata. Ëndrra për të festuar titullin e parë në 30 vjet nuk është më parësore. Edhe tifozët më të flaktë e pranojnë se në këto momente “më e rëndësishme është jeta”. Sapo situata prej virusit të ri korona nisi të bëhej serioze, trajneri Jurgen Klopp, i cili në Liverpul shihet si rimishërimi i teknikut legjendar Bill Shankly, deklaroi se “futbolli është gjëja më e rëndësishme në jetë, mes gjërave më të parëndësishme”. Një filozofi e goditur, e cila konfirmon se sporti apo trofetë kanë kaluar në plan të dytë.
Në këto momente, më tepër rëndësi merr kënga unike “Nuk do të jeni kurrë vetëm”. Ajo nuk është thjesht himni i Reds, apo një deklaratë devotshmërie e tifozëve më të flaktë. Në këtë periudhë, kënga e kalon kontekstin e njerëzve në Liverpool, duke u shndërruar në një dedikim për njerëzimin në përgjithësi. “Do të ishte e padrejtë nëse kampionati anulohet dhe nuk shpallemi kampionë, por ky nuk do të ishte fundi i botës”. Kështu përgjigjen tifozët e Liverpulit, sipas të cilëve “pritja e vërtetë është që të shkojnë sërish në stadium për të ndjekur ndeshjet”.
Ajo është pritja më e dhimbshme, pavarësisht nëse kampionati do të mbyllet deri në fund dhe titulli kampion do të dorëzohet. (A2 Televizion)
