Nga tmerri në qetësi, 3 vite në mes

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2022, 15:14 | Aktualitet

Fundnëntori, me gjithë peshën e rëndë të kujtimeve të një tragjedie, na rikthen në Laç, një nga zonat më të prekur nga tërmeti.

Përfytyroni atë çfarë ndodhte në Laç vetëm tre vite më parë. Sot, tërmeti i 26 nëntorit 2019 rëndon në kujtesën e laçianëve dhe gjithë shqiptarëve, ndërsa shiu nuk depërton më rrënojat dhe as i ftohti nuk përbën kërcënim. Jeta në këtë qytet ka marrë një tjetër rrjedhë. Por sërish, rrjedha e jetës nuk i ka trajtuar njëlloj të gjithë ata që në fillim-dimrin e acartë të tre viteve më parë mbetën në qiell të hapur.

Vërtet Kurbini ka ndërruar fytyrë. Sot, ata kanë një spital të ri, që ndryshe nga ai i vjetri, ka të paktën paraqitjen e një ndërtese ku trajtohen të sëmurën. Edhe fëmijët, sot gëzojnë 11 shkolla e gjimnaze të rindërtuara, ndryshe nga shkollat e vjetra pa kushte, banka e karrige.

Ndërsa kanë përfunduar së ndërtuari 13 pallate me 522 apartamente, të cilat janë shpërndarë sipas rregullores së shortit publik. Por ajo që shumëkush e sheh si një arritje, do të ishte e pamundur pa ndihmën e donatorëve të huaj, që u ofruan të ndërtojnë shkolla e shtëpi. Pa ta, sot bilanci do të ishte krejt ndryshe dhe tërmeti do të ndihej ende kudo.

A2 CNN trokiti në dyert e familjeve që tashmë i presin miqtë në shtëpinë e re. Periudha pas tërmetit nuk ka qenë aspak e lehtë dhe jeta e tyre ka ndryshuar tërësisht.

Sapo fillon biseda për tërmetin, vështirë të përmbahen lotët. Tërmeti në familjen Mrruku, nuk ishte e vetmja goditje në atë kohë, kur kryefamiljari sapo kishte dalë nga koma 21-ditore. Tmerr, ankth e frikë është ajo çfarë ka zënë vend në mendjen e banorëve të Laçit, nga mëngjesi i hershëm i 26 nëntorit 2019.

Dy-tre net fjetën jashtë, në çadra apo në makina. Më pas u drejtuan drejt hoteleve të Shëngjinit, ku qëndruan më shumë se një muaj. Me marrjen e bonusit të qirasë filloi sfida e gjetjes së një banese, për t’u strehuar për muajt në vijim. Pas pritjes së gjatë dhe të dhimbshme, në muajt shkurt dhe mars 2022, më shumë se 500 familje morën çelësat e apartamenteve të reja. Dy vite gjithsesi ishin shumë për familjen Dedgjonaj. Koha nuk mjaftoi që ta gëzonin shtëpinë e re bashkë me kryefamiljarin. Edhe njëri prej djemve ka emigruar drejt Italisë.

Por jo të gjithë e kanë pasur fatin të hynë në shtëpi të re. Më shumë se dyfishi i përfituesve aktualë të banesave të reja, 1105 familje kurbinasve vijojnë të presin e trajtohen edhe sot pas tre vitesh, me bonus qiraje. Por ka edhe nga ata që sot janë siç i la tërmeti. Në territorin e Bashkisë Kurbin, 5 familje jetojnë ende në çadra, pasi nuk kanë preferuar të largohen nga toka e tyre, pavarësisht se sipas Bashkisë, trajtohen me bonus qiraje. Ndërsa mbi një mijë familje janë ende në pritje, ndërtesat e dhuruara nga qeveria turke dhe Bashkimi Europian kanë përfunduar tashmë.

Sipas bashkisë Kurbin, 18 pallate janë ende në proces ndërtimi, në të cilat presin të strehohen 395 familje. 36 pallate të tjera pritet të përforcohen, ndërsa 4 objekte arsimore janë ende të papërfunduara. Sipas Bashkisë, shkak i vonesës është bërë procesi i shpronësimit, që pritet të përfundojë në dhjetor, duke bërë të mundur lirimin e sheshit dhe fillimin e ndërtimit.

Më problematike është gjendja për ata që tërmeti i prishi banesat private. Ndër 443 njësitë që janë planifikuar të ndërtohen, shteti u zotua të ndërtojë 225 banesa, ndërsa 218 të tjera janë kërkuar të ndërtohen vetë nga familjet. Nga pjesa e shtetit sot kanë përfunduar vetëm 13 shtëpi. Ndërsa nga ata që nisën vetë ndërtimin, 80 ia kanë dalë të përfundojnë punimet e të hynë në banesa.

Bashkia Kurbin konfirmoi për A2 CNN se banorët nuk i kanë marrë ende certifikatat e pronësisë. Ndërsa procesi për marrjen e tyre ka mbetur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, deri tani përfituesit kanë në dorë procesverbalin e përfitimit të banesës sipas shorteut publik dhe procesverbalin e marrjes së çelësit. Sidoqoftë, përfituesit e banesave të reja janë mirënjohës dhe gëzojnë për banesat e reja.

Lagjet e reja, tashmë i gëzojnë të gjithë. Qytetarët nuk lënë pa përmendur faktin se me ndërtimin e pallateve është rehabilituar dhe ai që e quajnë “përroi i Laçit”. Për herë të parë, këtë nëntor, shirat e vjeshtës nuk kanë përmbytur rrugët e këtij qyteti. Tërmeti është lënë pas dhe jeta vazhdon. Shpesh edhe jashtë vendit, sidomos për ata të rinj që nuk kanë kohë të presin për ndryshimet e mëdha. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/26/3-vite-pas-termetit-procesi-i-rindertimit-larg-perfundimit-ne-durresit/
https://a2news.com/2019/11/26/foto-nga-termeti-me-i-fuqishem-qe-prej-vitit-1926-qe-tronditi-shqiperine/

A2 CNN Livestream

Latest Videos