
Dekretimi nga Presidenti i Republikës i emrave të katër gjyqtarëve të propozuar nga KLGJ për të qenë pjesë e Gjykatës së Lartë ishte një lajm i mirë për këtë gjykatë dhe çdokënd që është palë në dosjet që presin të shqyrtohen në të.
E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit, nga ku largohen katër anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Kjo për shkak se largimi i dy gjyqtarëve për secilën prej tyre krijon boshllëk që përkthehet në vendosjen në vështirësi të proceseve, si edhe ulje të ritmit të shqyrtimit të dosjeve.
Në gjuhën e shifrave, largimi i gjyqtarëve Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi nga Gjykata e Posaçme e lë gjykatën që shqyrton dosjet e SPAK me 6 anëtarë, nga 16 që duhet të ketë në kushte normale. Ndërsa largimi i gjyqtarëve Sokol Binaj dhe Albana Boksi nga Apeli i Posaçëm, e lë këtë gjykatë me 3 anëtarë, nga 11 që duhet të ketë minimalisht.
Nga ana tjetër, përveç boshllëkut që ka krijuar në sistem, procesi i vetting-ut, bie në sy edhe një interes i ulët i gjyqtarëve që synojnë Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Për pesë vende të shpallura të lira, kanë kandiduar vetëm dy gjyqtarë.
Për vakancat e tjera të gjykatës, anëtarët e së cilës duhet të pranojnë t’u përgjohen telefonat e tyre dhe familjarëve 24 në 24 nuk është paraqitur asnjë kandidaturë. Kjo situatë kërkon angazhimin e KLGJ, jo vetëm në përshpejtim të procedurave të plotësimit të gjykatave të lira, por edhe në mirëshpërndarjen e gjyqtarëve ekzistues në sistem. (A2 Televizion)