Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh më i rezervuar në lidhje me një takim të mundshëm midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski. "Nuk e di nëse ata do të takohen. Ndoshta do të takohen. Ndoshta jo", tha Trump në Uashington në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. Trumpi u tha gazetarëve se pas takimit për Ukrainën në Shtëpinë e Bardhë kishte folur në telefon me Putinin dhe se çdo bisedë që ka pasur me Putinin ka qenë "një bisedë e mirë". Gjatë bisedës me gazetarët ai megjithatë shprehu zemërimin e tij për sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase dhe kërkoi njëtakim të drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Zelenskyt.
Javën e kaluar, zëdhënësja e tij Karoline Leavitt, kishte deklaruar pas pyetjeve të përsëritura nga ana e gazetarëve, se Putini kishte rënë dakord për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskin gjatë javëve të ardhshme. Pas takimit Trump-Putin u fol shumë se një takim midis Putinit dhe Zelenskit mund të zhvillohet së shpejti, por që atëherë Kremlini i ka minimizuar këto pritshmëri. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi së fundmi se Moska dhe Kievi duhet së pari të bien dakord për paqen dhe pastaj një takim midis presidentëve mund të vulosë marrëveshjen.
Zelenski njofton për një raund të ri bisedimesh me SHBA-në
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se në fund të javës do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e SHBA-së në lidhje me negociatat e mundshme me Rusinë për t'i dhënë fund luftës. Ai u takua në Kiev me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, me të cilin njoftohet se diskutoi për sanksione të mundshme kundër Rusisë.
Në një deklaratë online Zelenski tha se me Kellogg kishte folur për mënyrat se si "mund të detyrohet Moska që të hyjë në negociata të vërteta dhe për t'i dhënë fund luftës". Zelenski tha se me të dërguarin special të SHBA-së Kellogg kishte diskutuar edhe për garancitë e sigurisë, në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Zelenski pret që aspektet më të rëndësishme të garancive të tilla për sigurinë të negociohen "së shpejti". Ekipet negociuese ukrainase dhe amerikane planifikohet të takohen në fund të javës. (A2 Televizion)