
Nëpërmjet një reagimi të gjatë në Facebook, kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikëve që e akuzojnë për politizim të fitores së medaljes së arit nga atletja Luiza Gega, në garën e 3000 metrave. Titulli kampione e Europës u shoqërua me shumë komente mbi trajtimin që marrin sportistët shqiptarë nga shteti, për të cilët kryeministri mohon të jenë jashtë vëmendjes qeveritare.
“Për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën”.
Akuzave për harresë të sportistëve, kryeministri iu përgjigj duke publikuar emrat e të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes, si një mekanizëm shpërbyles për sportistët elitarë.
“Sot nuk ka më vetëm shpërblime për rezultatet më të larta, po edhe trajtim të përhershëm për kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar si më poshtë nga Ministria e Mbrojtjes: 1.Atletja Luiza GEGA.2. Peshëngritësi Briken ÇALJA.3. Xhudistja Nora GJAKOVA. 4. Xhudistja Distria KRASNIQI. 5. Xhudisti Indrit ÇULLHAJ.6. Atleti Ilir KËLLEZI.7. Peshëngritësi Ilirian SULI.
Rama solli në vëmendje dhe ndryshimet ligjore që parashikon të ndërmarrë qeveria që synojnë gradimin e sportistëve elitarë me gradën kolonel. Nga kjo nismë, theksoi ai, do të përfitojnë: 1. Luiza GEGA - “Kolonel”, Briken ÇALJA - “Kolonel”, Nora GJAKOVA - “Kolonel”, Distria KRASNIQI - “Kolonel”. (A2 Televizion)