
Nuk është një festë, dhe as ndonjë organizim në zonë të qytetit, por një ditë normale në kohën e koronavirusit, në kryeqytetin e Nigerisë, Abuxha.
Shteti afrikan është një prej atyre që edhe pse koronavirusi është përhapur në nivele të ulëta, ka marrë masa të forta për të parandaluar një katastrofë të mundshme në të ardhmen. Megjithatë, 300 të prekur dhe 10 persona që kanë humbur jetën duket se nuk e trembin pjesën tjetër të popullsisë, e cila i ka kthyer rrugët e kryeqytetit Abuxha në palestra të hapura.
Qindra qytetarë nigerianë shfrytëzuan parqet dhe autostradat e boshatisura për të kryer ushtrime fizike.
“Që prej nisjes së izolimit, kemi qëndruar në shtëpi pa bërë asgjë. Pa punë, pa ushqim. Asgjë, asgjë. Prandaj kemi vendosur të stërvitemi më mirë sesa të rrimë në shtëpi dhe të shëndoshemi. Mendoj që koronavirus nuk është shfaqur ende në këtë zonë. Jemi të frikësuar pak. Mamaja ime është më shumë. Më thotë të mos dalë, të rri në shtëpi, por nuk mundem. Qeveria Nigeriane ka urdhëruar njerëzit të qëndrojnë të izoluar në shtëpitë e tyre dhe të lëvizin vetëm në rast nevoje të ushqimeve apo ilaçeve”, thotë një qytetar. (A2 Televizion)