Nis beteja për Donbasin, Ukraina nuk dorëzohet

Nga A2 CNN
19 Prill 2022, 12:22 | Bota
Nis beteja për Donbasin, Ukraina nuk dorëzohet

Beteja për Donbasin ka nisur! Kështu tha presidenti Volodymyr Zelensky, teksa lajmëroi nisjen e ofensivës së shkallës së gjerë të forcave ruse për pushtimin e rajonit lindor.

Beteja ishte paralajmëruar prej kohësh dhe shënon nisjen e fazës së dytë të luftës, pasi ushtria e Putinit dështoi të merrte kontrollin e veriut të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Në një video-mesazh të publikuar në orët e vona, Zelensky tha se forcat ukrainase do të mbrojnë veten dhe u zotua të mos lëshojë asnjë pjesë të territorit.

“Mund të themi tani se forcat ruse e kanë nisur betejën në Donbas, për të cilën po përgatiten prej kaq shumë kohësh. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse është e fokusuar tek kjo ofensivë, por ne do të luftojmë pavarësisht se sa rusë do të dërgohen atje, ne do të luftojmë”, tha presidenti ukrainas.

Më herët, zyrtari më i lartë i sigurisë në Ukrainë, Oleksiy Danilov tha se Rusia ishte përpjekur të depërtonte në frontet ukrainase të mbrojtjes.

Guvernatori i rajonit të Luhansk e përshkroi situatën një ferr të vërtetë me bombardime konstante që raportohen në disa qytete. Megjithatë forcat e armatosura të Ukrainës pretendojnë se kishin zmbrapsur 7 sulme në rajonet separatiste.

“Armiku po përpiqet të vijojë operacionet e ofensivës në rajonin lindor për të marrë kontrollin e plotë të Donetsk dhe Luhank, gjithashtu për të mbajtur një korridor tokësor me Krimenë e pushtuar. Por mbrojtësit e Ukrainës zmbrapsën 7 sulme në këto zona, shkatërruan 10 tanke dhe sisteme të aritlerisë armike”, shpjegon Oleksandr Shtupun, zëdhënës i forcave të armatosura.

Por pavarësisht se e ka zhvendosur vëmendjen në lindje të vendit, Rusia ka intensifikuar bombardimet edhe në pjesën tjetër të Ukrainës. 17 persona u vranë pas sulmeve ajrore që shënjestruan edhe qytete deri më tani të sigurta, si Lviv në kufi me Poloninë.

Shpërthime vijojnë të raportohen ne Kharkiv, e po ashtu në Mykolaiv në lindje të Odesës. Në Irpin autoritetet ukrainase flasin për 269 viktima në total dhe pamje dramatike me dron tregojnë varret e reja të atyre që janë vrarë në luftë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos