SHBA trajnon ukrainasit të përdorin artilerinë e rëndë

Nga A2 CNN
19 Prill 2022, 10:55 | Bota
SHBA trajnon ukrainasit të përdorin artilerinë e rëndë

Shtetet e Bashkuara do të trajnojnë ushtarët ukrainas të përdorin armë amerikane të artilerisë së rëndë, “howitzer”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes në SHBA, tha të hënën se stërvitja do të nisë gjatë ditëve në vazhdim. "Howitzer" është përgjithësisht një armë me rreze të gjatë veprimi e ngjashme me një top, e cila ka predha më të vogla, e që mund të gjuajë më me shpejtësi.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden i dha dritën jeshile një pakete të re me ndihmë ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, duke e zgjeruar dërgesat me armë të artilerisë së rëndë, në prag të ofensivës ruse në Ukrainën lindore. Deri më tani, katër avionë ngarkuar me armë janë dërguar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën, si pjesë e paketës së re të ndihmës.

Zyrtari i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti, tha se trajnimi mbi përdorimin e armëve të artilerisë së rëndë do të zhvillohet jashtë Ukrainës. Trupat amerikane do të mësojnë koleget ukrainas se si të përdorin disa nga armatimet e reja, ku përfshihen edhe radarët.

Shtetet e Bashkuara kanë stërvitur më parë forca ukrainase për përdorimin e dronëve “Switchblade”. Presidenti Volodimir Zelenski bën vazhdimisht thirrje për më shumë armë të artilerisë së rëndë nga aleatët, për t’i bërë ballë ofensivës ruse në rajonin e Donbasit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos