
Premier League nis zyrtarisht sezonin e ri, me sfidën e së shtunës në orën 13:30 ndërmjet Fulham dhe Arsenal. Kampionati anglez, i cili ruan statusin e ligës më të bukur në botë, do të startojë me dyer të mbyllura për tifozët, për të lejuar më pas gradualisht që tribunat të mbushen deri në 1/3 e kapacitetit.
Edhe për këtë sezon, parashikimet flasin për duelin e titullit ndërmjet Liverpool, kampionë në fuqi dhe Manchester City. Fuqi e jashtëzakonshme ekonomike dhe heqja e dënimit nga UEFA, i ka rritur shanset e “Citizens” të Pep Guardiolës vlerësohen si favoritë.
Kjo bën që “Reds” të Jurgen Klopp të kenë përpara tyre një mision mjaft të vështirë në mbrojtjen e kurorës.
Pas goditjeve të shkëlqyera në merkato, Chelsea shihet si skuadra që mund të ndërhyjë në luftën për titullin kampion. Skuadra e Frank Lampard ka shpenzuar më tepër se të gjithë në merkato, duke afruar Ben Chilwell nga Leicester, Hakim Ziyech nga Ajax, Thiago Silva nga PSG dhe talenti Timo Werner i paguar 55 milionë euro te Leipzig.
Manchester United dhe Arsenali janë pak më mbrapa krahasuar me pretendentët, ashtu si Tottenham i Jose Mourinho.
Gjatë kësaj fundjave, do të luhen vetëm tetë ndeshje të javës së parë të Premier League, pasi ndeshjet Burnley-United dhe City-Aston Villa janë shtyrë për shkak se ekipet nga Manchesteri e mbyllën me vonesë sezonin, për shkak të angazhimeve në kupat e Europës. (A2 Televizion)