
Evropa po hedh hapat e parë drejt rikthimit në normalitet, ndërsa disa vende po rihapin gradualisht bizneset. Miliona spanjollë u rikthyen në vendet e punës këtë javë, mes të cilëve punonjës të ndërtimit, pastrimit, e fabrikave të ndryshme. U rihapën dyqane të vogla e të tjera të mëdha me material ndërtimi, apo kopshtarie.
Autoritetet shëndetësore raportuan të martën 3045 raste të reja, numri më i ulët që prej shpërthimit të krizës. Viktimat ishin 567, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me të martën kur u raportuan 517 të vdekur në 24 orë. Numri total i të infektuarve në këtë vend është mbi 172 mijë, ndërsa ata që kanë humbur jetën janë më shumë se 18 mijë.
Gjithashtu Italia, vendi më i prekur në Evropë, lejoi rinisjen e disa aktiviteteve nga dita e martë. Edhe Austria rihap mijëra dyqane, në një përpjekje për të lehtësuar gradualisht masat dhe për të rindezur motorin e ekonomisë. Megjithatë, masat e rrepta të distancimit social vazhdojnë të mbeten në fuqi, dhe qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur. Autoritetet kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në supermarket dhe farmaci.
Danimarka po rihap shkollat për më të vegjlit, dhe Polonia njoftoi heqjen graduale të kufizimeve.
E megjithatë, Franca po heziton të lirojë rripin, ndërsa presidenti Emmanuel Macron zgjati deri në 11 maj periudhën e izolimit. Në një fjalim televiziv ai tha se kufizimet e kishin ngadalësuar pandeminë, por nuk mund të flitej për fitore. Sipas planit të Macron, shkollat dhe dyqanet do të rihapen gradualisht nga 11 maji, ndërsa restorantet, hotelet e kinematë do të mbeten të mbyllura për më gjatë. Organizata Botërore e Shëndetësisë mirëpret ngadalësimin e infeksioneve në Evropë, por paralajmëroi se është kundër heqjes së kufizimeve para kohe. Kjo sipas organizatës, do të sillte rigjallërim vdekjeprurës të virusit. (A2 Televizion)