Avokati Gylsen Zhllima, i ftuar në studion e “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, ironizoi Kodin e ri Penal.
“Do marrim një manual të 1944, do marrim një rregullore të Partisë Socialiste dhe duhet të marrim leje se çfarë të themi. Më pas, do të futemi në Bashkimin Europian”, tha Zhllima.
“Ata qytetarë shqiptarë që duan të bëhen shenjtorë, mund të shkojnë në kisha, manastire, teqe... por në Kodin Penal nuk mund të imponosh te njerëzit sjelljen. Sjellja është individuale. Këtu po goditet shoqëria civile, liria e fjalës, gazetaria, dhe u thua që “Amerika iku, tani do shkojmë në BE”. Ai Kod Penal është për Bashkimin Sovjetik, jo Bashkimin Europian”, u shpreh Zhllima.
“Në vitin 2025 sjellin një Kod Penal që cenon nenin 4 të Kushtetutës, që është siguria juridike, gjënë kryesore për shtetin. Ligjvënësi, në një Kod Penal që i përket të gjithëve, nuk mund të sjellësh një Kod Penal nga e para sepse nuk po ndryshon sistem politik. Pra, nuk është se nga diktatura në demokraci”, theksoi më tej avokati.
(A2 Televizion)