Bujar Lybesha, ekspert për diplomacinë ekonomike, i ftuar në studion e “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2CNN u shpreh se kryeministri Edi Rama ka arsye deri diku për të qenë i pakënaqur me diplomacinë ekonomike.
“Ka arsye sepse diplomacia ekonomike te ne është pothuajse inekzistente, siç e tha edhe vetë kryeministri. Kjo për arsye se në vendet e zhvilluara, diplomacinë ekonomike nuk e drejton Ministria e Jashtme. Atë e drejtojnë ministritë e Financave dhe ata që punojnë si këshilltarë ekonomikë pranë këtyre ambasadave kanë mbulesën diplomatike, ndërsa varësinë e kanë nga ministritë e Financave apo Ekonomive. Këtu te ne, ambasadorët sado që të mundohen, nuk kanë aftësitë profesionale për të bërë atë gjë”, shpjegoi Lybesha.
“Kjo është arsyeja kryesore pse ne jemi në këto nivele me diplomacinë ekonomike”, shtoi eksperti.
Ndërsa Morena Boja, eksperte për ekonominë, theksoi se “nuk kemi plan strategjik për thithjen e investimeve të huaja”.
“Ambasadat tona duhet të jenë burim promovimi të turizmit shqiptar apo bizneseve. Nuk kemi staf të kualifikuar, pasi diplomacia jonë ka qenë e fokusuar në aspektet tradicionale të diplomacisë. Mendoj që thirrja e Edi Ramës mund të jetë për reformim të trupës diplomatike, duke pasur prioritet diplomacinë ekonomike”, shtoi Boja. (A2 Televizion)