“Nëse ne bëjmë reformat e duhura ekonomike, aty mund ta shikojmë pastaj punën e diplomacisë ekonomike. Investimet e huaja në Shqipëri janë rritur, por janë në “real estate”, që janë investime portofoli, nuk janë fabrika. E dyta, eksportet tona nuk janë në nivelin që duhet. Këto janë elemente që e bëjnë shumë të vështirë edhe për një ambasador të zhdërvjellët që të reklamojë vendin”.
Kështu u shpreh Majlind Lazimi, ish-zv/ministër i Integrimit, në studion e “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2CNN.
Sipas tij, “duhet bërë maksimumi i promovimit të vendit, por së pari duhen bërë detyrat e shtëpisë”.
“Është e vështirë të promovosh nëse problemet janë reale”, theksoi Lazimi.
Morena Boja, eksperte për ekonominë, deklaroi se “Shqipëria do shumë kohë për të konkurruar” me vende si Serbia, prandaj duhet krijuar një strategji nëpër ambasada për të fuqizuar diplomacinë ekonomike.
“Duhen këshilltarë ekonomikë për promovimin e vendit sepse nuk mund të merret ambasadori. Ambasadat kanë shumë pak staf, pikat konsullore nuk merren dot me promovim, prandaj mendoj që duhet strategjia për promovimin. Duhen njerëz me kapacitet profesional dhe të lobojnë shumë fort”, theksoi ekspertja.
(A2 Televizion)