
Në katër rajonet të pushtuara të Ukrainës, Kherson, Donetsk, Luhansk dhe Zaporizhia po mbahen referendumet për t’iu bashkuar Rusisë. Të denoncuara si të paligjshme dhe mashtrim nga Ukraina dhe Perëndimi, të ashtuquajturat votime do të zhvillohen përgjatë 5 ditëve ndërsa të gjitha zonat, dy në lindje dhe 2 në jug janë në frontin e luftës.
Siç bën të ditur guvernatori në ekzil i rajonit të Luhansk, pushtuesit rusë po organizojnë grupe të armatosura për të rrethuar banesat dhe për të detyruar qytetarët të marrin pjesë në referendum. Siç thuhet, autoritetet po ndalojnë popullsinë lokale të largohen nga qyteti nga data 23 deri në 27 shtator, kur mbahet referendumi.
Referendumet u shpallën pas kundërofensivës së suksesshme të ushtrisë së Kievit, që ka çliruar shumë prej territoreve të pushtuara në luftën e nisur në 24 shkurt. Votimi për aneksimin e 4 rajoneve është një prej 3 hapave të ndërmarra nga Kremlini në një përpjekje për të rigjallëruar luftën.
Duke aneksuar 15 për qind të Ukrainës sovrane, Moska do të mund të ngrinte pretendimet se territori i saj është nën sulm nga armët që NATO dhe vende të tjera perëndimore i kanë siguruar Kievit. Hapi i dytë është mobilizimi i 300 mijë trupave rezerviste me të cilat kërkon të mbrojë vijën e luftës prej 1000 kilometrash. Ndërsa hapi i tretë është kriminalizimi i dezertimit, dorëzimit apo largimit pa leje gjatë mobilizimit. (A2 Televizion)