
Partia Demokratike depozitoi në Kuvend projektligjin e vet për lustracionin si një alternativë përballë dy nismave të tjera të PS dhe Grupit të Alibeajt, me synimin për të larguar nga politika bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit.
Kjo është hera e tretë që PD tenton lustracionin e politikës dhe institucioneve, por politologu Afrim Krasniqi e sheh lëvizjen si një manovër në kuadër të lojës politike ditore.
“Mendoj që nuk kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim për lustracionin, por kemi të bëjmë me një lojë në funksion të politikës së ditës”, tha Krasniqi.
Demokratët kanë bindjen se nisma e re respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi në 2010 ligjin e lustracionit, por Afrim Krasniqi vijon të jetë skeptik.
“Për sa kohë nuk kanë një nisëm të konsultuar me Gjykatën Kushtetuese dhe ekspertët ndërkombëtare, kjo do të thotë se janë të interesuar edhe të rrëzohet mjaft të jetë temë dite”, shtoi ai.
Krasniqi gjen edhe arsye të tjera që e shtyjnë të mendojë se nisma e Partisë Demokratike është joserioze.
Si drejtor i Institutit të Studimeve Politike, thekson se për të bërë të realitet lustracionin nevojitet mes të tjerash edhe një konsensus i gjerë që shkon përtej raporteve parlamentare. (A2 Televizion)