Kontrata për Shërbimin Satelitor, Peleshi: Monitorim i territorit me teknologji të avancuar

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 10:22 | Politikë
Kontrata për Shërbimin Satelitor, Peleshi: Monitorim i territorit me

Ministri i Brendshëm, Niko Peleshi, pas nënshkrimit të kontratës së Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit "Satellogic USA Inc", tregoi se si do të përdoret ky shërbim.

“Disa nga përdorimet specifike janë: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, sipërfaqet e zonave të përmbytura apo djegura, rrugët e bllokuara, trashësia e borës etj., në mënyrë që të marrë masa; Policia e Shtetit do të marrë informacion për kultivimin e bimëve narkotike, prerjen e paligjshme të pyjeve dhe parandalimin e akteve kriminale; Ministria e Bujqësisë do të marrë informacion për burimet ujore, hidrovorët dhe lumenjtë; Ministria e Turizmit do të marrë informacion mbi cilësinë e ujërave; Ministria e Energjisë do të marrë informacion për rezervat e gazit dhe naftës, si dhe infrastrukturën rrugore”, tha Peleshi.

Kompania amerikane u shpall në shtator fituese e tenderit për ndërtimin e satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2”, të paralajmëruara nga kryeministri Rama që në tetor të vitit 2021. Sipas Ramës, projekti u shtua për shkak të pandemisë. Kompania “Satellogic USA Inc.” do të përfitojë 6 milionë dollarë nga kontrata që ka një kohëzgjatje prej 3 vitesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos