“Një akt cinik dhe qëndrim antikombëtar”, Berisha reagon për aksidentin në Bullgari

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2021, 16:50 | Politikë
“Një akt cinik dhe qëndrim antikombëtar”, Berisha

Me anë të një statusi në Facebook, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me aksidentin tragjik të autobusit me shqiptarë në Bullgari. Ai quan akt cinik dhe qëndrim antikombëtar mosshpalljen e një dite zie kombëtare nga Rama, ashtu siç bëri Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria.

“Një akt cinik dhe qëndrim antikombëtar. Të dashur miq, në traditën e fqinjësisë së mirë, zija ndahet si midis familjeve, por edhe midis shteteve. Për aksidentin më tragjik të rajonit në dy dekadat e fundit, shkrumbimin e 46 shqiptarëve qytetarë të Maqedonisë së Veriut, por dhe të Kosovës në flakët e autobusit në Bullgari, shpallën një ditë zie kombëtare tre shtete, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria. Kurse Edvin Kristaq Rama qëndroi zemërdru. Nuk pranoi të ndajë zinë për 46 jetë të humbura shqiptarësh me fqinjët tanë, por u soll sikur kjo tragjedi të kishte ndodhur në ndonjë vend të Oqeanisë. Mos shpallja zi kombëtare së bashku me Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bullgarinë për 46 shqiptarë që humbën jetën në flakët e autobusit është akti i fundit cinik dhe antikombëtar i Edvin Kristaq Ramës”, shkruan Berisha.

***

Në autobusin e aksidentuar në Bullgari, tri ditë më parë, zyrtarisht humbën jetën 44 persona, tha zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme të Bullgarisë, Siika Mileva, në një konferencë për mediat. Ajo zbuloi se në autobus zyrtarisht ishin 52 persona, prej të cilëve 44 u gjetën të pajetë, ndërsa 7 të tjerë shpëtuan. “Enigma e madhe mbetet ku është personi i tetë”, tha ajo.

Kryesuesi i hetimeve dhe zv.kryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov, tha se pavarësisht dëshmive të para në spital janë trajtuar vetëm 7 persona. Sipas tij, mundësia është që një person të ketë ndryshuar autobus gjatë pushimit.

Sarafov tha gjithashtu se nga veprimet e para hetimore rezulton se aksidenti tragjik është shkaktuar nga një gabim njerëzor.

Aksidenti i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 23 nëntorit. Thuajse të gjithë viktimat ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët po ktheheshin nga një ekskursion në Stamboll. Familje me shumë pjesëtarë u shuan në autostradën e Strumës pranë Sofjes në Bullgari, rreth orës 2 të së martës, mes tyre edhe 12 fëmijë. Mes viktimave, ishin edhe 2 vëllezër binjakë të moshës 4-vjeçare, nxënës shkolle dhe një çift të fejuarish.

https://a2news.com/2021/11/25/aksidenti-tragjik-ne-bullgari-hetuesit-zyrtarisht-44-viktima-zjarrfikesit-mbi-1000-litra-nafte-me-bidone-ne-autobus/

Aksidenti i së martës ndodhi në një sektor të autostradës ku kanë ndodhur edhe shumë aksidente të tjera në të kaluarën, sipas ekspertëve rrugorë bullgarë. Vendi ka një histori me aksidente fatale me autobusë.

Në vitin 2018, 17 turistë bullgarë humbën jetën kur autobusi i tyre rrëshqiti në një rrugë të lagur dhe u përmbys.

Në vitin 2019, Bullgaria u vlerësua si shteti i dytë me vdekshmërinë më të lartë nga aksidentet rrugore brenda vendeve të unionit, me 89 viktima për 1 milion banorë, sipas të dhënave të Komisionit Europian Po atë vit, sipas të dhënave zyrtare, 628 persona humbën jetën, ndërsa 463 të tjerë kanë vdekur në aksidente rrugore në vitin 2020.

Në pjesën më të madhe të rasteve, aksidentet i janë atribuuar kushteve të këqija të rrugëve, makinave të vjetra dhe shpejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos