"Zbuluam se PD nuk punoi për fitoren e opozitës"

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2021, 14:53 | Politikë
"Zbuluam se PD nuk punoi për fitoren e opozitës"

Zgjedhjet në strukturat drejtuese të LSI-së ishin paralajmëruar për në muajin shtator, por Sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari, tregon për A2 CNN se gjithçka është shtyrë deri në finalizimin e analizës së humbjes në garën e 25 prillit.

“Nuk kemi dashur ta themi, por kemi zbuluar se ka pasur deputetë të Partisë Demokratike, por edhe lidershipi i saj, që nuk kanë dashur fitore të opozitës, por kanë punuar për interesat e tyre personale”, tha Braimllari.

Sekretari nuk jep një datë kur pritet të përfundojë ky proces, për të kaluar në zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese, por duket se LSI-ja ka lënë një derë hapur për rikthimin e Ilir Metës në krye të saj, pasi të përfundojë mandatin presidencial verën e ardhshme: “Kemi një tur takimesh, me qëllim për të pasur një proces zgjedhor të saktë. Meta e zgjedh vetë se çfarë do të bëjë, por ai është themelues i LSI-së”.

Një parti që kalon nga Meta te Kryemadhi, për t’u rikthyer eventualisht përsëri te Meta, a është tregues i menaxhimit familjar të forcës politike, në kurriz të demokracisë së brendshme dhe hapësirave për një lidership të ri?

Braimllari përgjigjet kështu: “LSI-ja është simbol i demokracisë së brendshme. Meta ka bërë garë brenda partisë, shumë të fortë, me Shezai Rrokajn dhe Përparim Spahiun”.

Sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari, thekson se Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur të vijojë aksionin e saj opozitar në Parlament, me nisma konkrete ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos