Një ditë pas protestës, Rama bashkëbisedim live me demokratët në Facebook në orën 12:00

Nga A2 CNN
9 Janar 2022, 08:21 | Politikë

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama i ftoi demokratët që të bashkohen me të, sot kreu i qeverisë njofton në rrjetet sociale se do të zhvillojë një bashkëbisedim live me ta në orën 12:00 në Facebook.

Ky reagim i Ramës erdhi pas protestave të dhunshme të një dite më parë në selinë blu, ku Basha dhe Berisha e akuzuan atë si bashkëfajtor të krizës. Ai i ftoi demokratët që të bashkohen për Shqipërinë.

“Kur shoh këto dy kufoma politike që luajnë kështjellash në mes të Tiranës dhe fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im, më vjen t’u lëshoj demokratëve një kushtrim të megjithëzemërt: Ejani t’i japim ç’mundemi Shqipërisë, të bashkuar si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz!”, tha Rama një ditë më parë.

Protesta e djeshme në selinë e PD degjeneroi në dhunë, Berisha hyri me forcë në seli, ndërsa policia largoi protestuesit me gaz lotsjellës. Pas protestës Berisha deklaroi se ajo do të vazhdojë në forma edhe më të fuqishme. Në konferencën për mediat që mbajti pas protestës ai akuzoi drejtpërdrejt Lulzim Bashën dhe Edi Ramën se kishin përgatitur së bashku një skenar dhune për protestën e thërritur prej tij përpara selisë së Partisë Demokratike.

Nga ana e tij Basha u tregoi gazetarëve dëmet e shkaktuara në selinë e Partisë Demokratike dhe tha se kjo e shtunë ishte dita e fundit politike e Sali Berishës.

Përplasja e djeshme në selinë e Partisë Demokratike nxiti edhe një varg reagimesh nga ndërkombëtarët dhe institucionet të cilat dënuan dhunën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos