
Biblioteka Kombëtare çel një ekspozitë të veçantë me pasurinë që ka lënë Branko Merxhani në shqip. Në bashkëpunim me Arkivin e Shtetit, ky udhëtim në kohë për të njohur kritikun e mendimtarin Merxhani përcjell edhe fakte nga jeta e eruditit.
Branko Merxhani ishte harruar për një kohë të gjatë. Kundërbota e tij vjen në bibliotekën shqiptare me një pasuri veprash që la pas eruditi.
“Përpjekja Shqiptare” është vetëm një nga periodikët fantastikë që shkrimtarë e kritikë të asaj kohe përpiqeshin të botonin për t’i dhënë më shumë dritë artit dhe zhvillimeve. Përpjekje kjo pas së cilës qëndron pa diskutim Branko Merxhani. Por, një dramë e papërfunduar, me shkrimin e tij ekspozohet për herë të parë.
“Kjo ekspozitë mundohet të sjellë rrugëtimin e Merxhanit, me pjesën me të madhe te shkrimeve të tij, plus materiale pak të njohura në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit, dhe një dramë e pashkruar për të cilën falënderojmë Aurel Plasarin”, thotë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.
Duke qenë një nga kritikët më të mëdhenj të politikës së asaj kohe, duke kërkuar që të nxiste mendimin me anë të kulturës dhe artit, Merxhanin e gjejmë shpesh edhe kundër klerit katolik apo kritik ndaj atyre që mbanin poste drejtuese.
Letra të tilla të paekspozuara asnjëherë më parë i gjeni në Bibliotekën Kombëtare, përmes kundërbotës së Branko Merxhanit. (A2 Televizion)