
Pak ditë më parë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, bëri të ditur se duke filluar nga vitit i ardhshëm, të gjitha shkollat fillore do të kenë të njëjtën abetare për nxënësit e klasave të para. Ky vendim vjen në kuadër të nismës “Një gjuhë, një abetare”.
Për të diskutuar për këtë temë, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës në A2 CNN ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, nga ku u shpreh se kjo gjë duhet të ishte bërë që në vitin 2015.
“Marrëveshja e parë me Kosovën pas shpalljes së pavarësisë është nënshkruar në vitin 2010 në Korçë, në ditën e arsimit dhe shkollës shqipe. Dy vite më vonë u nënshkrua një program, i cili synonte abetaren, duke u finalizuar abetarja e parë mbarëkombëtare. Unë po habitem, pasi që në atë kohë u mendua dhe objektivi ishte që brenda 3 vitesh të ishte i vetmi tekst në shkolla, në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo abetare duhet të ishte e vetmja që në vitin 2015.
Jemi 6 vjet me vonesë. Tani nuk e di se për çfarë është fjala. Ndoshta për të hapur një garë të re. Abetarja është shumë pak. Që atë herë objektivi ishte që abetarja të ishte e para. Sot, duhet të kishim të njëjtët libra të gjuhës shqipe, letërsisë dhe historisë shqipe”, u shpreh ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. (A2 Televizion)