
Mediat amerikane dhe britanike raportojnë se presidenti Trump ishte pranë nisjes së një sulmi kundër bazës kryesore bërthamore të Iranit, përpara se këshilltarët e tij ta paralajmëronin për efektet dramatike që do të kishte ky vendim i tij.
Sipas një raporti të “New York Times”, Trump zhvilloi një takim me këshilltarët e sigurisë, të enjten, ku ishin të pranishëm dhe zv.presidenti Pence, Sekretari i Shtetit, Pompeo, Sekretari i Mbrojtjes Miller, të cilët i pyeti në lidhje me një sulm të mundshëm.
Takimi u mbajt një ditë pasi inspektorët ndërkombëtarë informuan Kombet e Bashkuara se kapacitetet bërthamore të Iranit ishin disa herë më të mëdha nga normat e lejuara.
Këshilltarët i kërkuan kreut të Shtëpisë së Bardhë që të hiqte dorë nga ky sulm pasi ai do të mund të hapte një konflikt më të gjerë me Iranin.
Një burim tjetër për Times, raporton se Trump kërkoi disa opsione nga këshilltarët, por pasi ata dhanë skenarët e mundshëm, atëherë u vendos që të mos shkohej më tej. (A2 Televizion)