
Me kalimin e ditëve, strategjia e fushatës së presidentit në detyrë Donald Trump për të rikthyer në favor të tij zgjedhjet e 3 nëntorit po humbet "armë" të rëndësishme ligjore.
Shteti kyç për të shpresuar në një ndryshim në numrin e votave zgjedhore, që shohin në avantazh kandidatin demokrat Joe Biden, është padyshim Pensilvania. Mbështetësit e Trump në atë shtet kishin kryer një seri padish për të bllokuar certifikimin e zgjedhjeve, por tani kanë tërhequr atë kryesoren.
Bëhet fjalë për atë padi që intereson rreth 682 mijë vota “në distancë”, në pjesën më të madhe të dërguara me postë, që republikanët kërkojnë të mos quhen sepse janë sipas tyre numëruar pa praninë e përfaqësuesve republikanë.
Edhe pse përfaqësuesit e Trump kanë deklaruar se vendimi është marrë për të formuluar akuzën e tyre në një mënyrë më të saktë ligjore, sipas analistëve kjo është një tërheqje që i paraprin procesit të ngadaltë por të pakthyeshëm të transicionit të pushtetit midis Trump dhe Biden.
Një tjetër sinjal në ketë drejtim vjen nga Robert O’Brien, këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare dhe një nga më të besuarit e presidentit. O’ Brian deklaroi sot se Këshilli i Sigurisë Kombëtare që ai drejton po përgatitet ndërrimin e pushtetit.
“Shikoni, në qoftë se Biden dhe Harris do të përcaktohen si fitues, dhe gjërat duket sikur po shkojnë në atë drejtim, ne do të kemi një tranzicion shumë profesional nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, deklaroi ai. Një ton krejtësisht i ndryshëm me atë të Trump, që deri pak orë më parë në Twitter postonte një fjali të vetme: “Unë i fitova zgjedhjet!”. (A2 Televizion)