
- Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, dhe modeli Anwar Hadid, mund t’i kenë dhënë fund lidhjes pas dy vitesh së bashku. Mediat e huaja shkruajnë se çifti është në krizë si pasojë e karrierave respektive, që po i mbajnë larg njëri-tjetrit. Ndonëse nuk kanë reaguar për thashethemet, fansat kanë vënë re se ata nuk kanë postuar foto me njëri-tjetrin.
- Prezantuesi dhe komediani, Nick Cannon, pohoi se i biri i tij dhe i modeles Alysia Skot, vetëm 5-muajsh, ka ndërruar jetë. Cannon tha se djali humbi jetën nga një tumor malinj, duke lënë për të dhe familjen një dhimbje të tmerrshme.
- Kënga ikonike e Krishtlindjeve “All I Want For Christmas is You”, i sjell këngëtares Maria Carey çdo fundvit nga 600 mijë deri në 1 milion dollarë fitime. Hiti i publikuar tri dekada më parë, përdoret në spote publicitare, filma, programe televizive dhe merr çdo fundvit miliona klikime në YouTube.
- Artistët më të mirë të muzikës, filmave, televizionit dhe kulturës pop u mblodhën në Kaliforni, për të ndarë çmimet e People's Choice Awards. Teleshikuesit patën mundësi të votonin personazhet më të famshëm nga “showbiz”-i amerikan dhe vlerësuan Dwayne Johnson me tri çmime, atë të aktorit të vitit, yllit të filmave komedi dhe çmimin e nderit. BTS, yjet koreanë pop, fituan si grupi më i mirë dhe gjithashtu rrëmbyen çmimet për këngën dhe videoklipin më të mirë për vitin 2021, me këngën “Butter”.
- Një nga markat më të njohura në botë, Puma, ka zbuluar koleksionin e tij të ri, Puma FLUTUR dhe ka zgjedhur si imazh yllin botëror, Dua Lipa. Ylli i popit ka shpërndarë në profilin e saj zyrtar fotografi të ndryshme e veshur me koleksionin e ri, duke njoftuar se ai do të hidhet në treg më 18 dhjetor, diçka e pohuar edhe në faqen zyrtare të Puma. (A2 Televizion)