“Njerëzimi theu limitet. Virusi rrafshoi hierarkitë”

Nga A2 CNN
19 Mars 2020, 08:39 | Aktualitet
“Njerëzimi theu limitet. Virusi rrafshoi hierarkitë”

Një pjesë e madhe e popullsisë së botës është e izoluar në shtëpi, si pjesë e situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit. Studiuesi Redi Shehu e quan këtë situatë karantinokraci. Ai u shpreh në një lidhje në Dita Jonë se izolimi në shtëpi po na bën të kuptojmë edhe rëndësinë e lirisë.

“Ka disa të mira që e shoqërojnë këtë situatë të rëndë. E sheh që kryeministri të do, Kryemadhi po ashtu, edhe Basha në anën tjetër. Ndjehesh i përkëdhelur. Në këtë mënyrë, kupton se çfarë rëndësie ka liria për ne. Kjo na bën të vlerësojmë çastet që kanë ikur. Duhet të rikonfigorojmë shumë gjëra, shpresoj që të jetë një çast meditimi. Pas tronditjeve të mëdha, njerëzit e kanë ndryshuar sjelljen nga realiteti. Tani mbetet për t’u parë, për mirë apo për keq”, u shpreh Shehu.

Më tej, ai komentoi edhe termin “armik”, shumë të përdorur gjatë kësaj kohe nga kryeministri, por edhe liderë të tjera në botë, duke theksuar se njerëzimi i theu limitet. Shehu shprehet se duhet të shohim edhe anën pozitive, sipas tij, ky virus theu hierarkitë.

“Viruse ka pasur gjithmonë. Në Wuhan viruset janë në trupat e kafshëve dhe ishim ne që shkuam dhe e morëm, thyem limitet. Ne gjithmonë gjejmë armiq aty ku nuk ka. Kjo është një sprovë dhe shoqëria po testohet. Ta lëmë termin armik. Më shumë se sa armik, ka edhe anët e tij pozitive. U rrafshuan hierarkitë, të gjithë sëmurën njësoj, të gjithë futen në karantinë njësoj. Me këtë virus ne pamë që u krijua njëfarë stacioni, epoke. Tashmë kjo do të jetë edhe një epokë historike, para dhe pas koronavirusit. Po ashtu, na ktheu në tradicionalizëm, na ktheu te jeta familjare, te gjerat e përditshme”, tha Redi Shehu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos