
Kryeministri Edi Rama njoftoi në Facebook se “nga nesër, asnjë punonjës i shtetit nuk do të përdorë makinën për të shkuar në zyrë”.
Nga kjo masë përjashtohen punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë, Mbrojtjes apo dhe të prefekturave në Bashkitë që e kanë të detyrueshme.
“Nga nesër, të gjithë punonjësit e ministrive, bashkive e prefekturave, nga sekretarët e përgjithshëm dhe deri tek i fundit, nuk do të përdorin më makinë për të shkuar në zyrë! Nga ky rregull përjashtohen vetëm punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes apo të prefektura e bashkive, që janë të përfshirë në listën prioritare me firmën e titullarit, për të garantuar zhvillimin e luftës sipas planit, në aspektin shëndetësor dhe humanitar! Nga nesër, të gjithë punonjësit e tjerë të administratës shtetërore që e kanë punën në zyrë, nuk do të përdorin makinë për të shkuar në punë”, shkruan Rama.
“Titullarët e të gjitha institucioneve të varësisë, duhet të çojnë sot tek ministri apo Kryetari i Bashkisë, listën e arsyetuar të punonjësve që e kanë të domosdoshme lëvizjen me makinë. Emër për emër”, shtoi Rama.
Kryeministri paralajmëroi edhe masa ndëshkuese për punonjësit që shkelin këtë rregull: “Shkelja e këtyre masave, të cilat do të përfshihen nesër, së bashku me masat e reja për lëvizjen e këmbësorëve në aktin normativ, do të ndëshkohet me mbajtjen e rrogës për 3 (tre) muaj dhe në rast përsëritje me largimin përfundimtar nga puna”. (A2 Televizion)