
Në protestën e opozitës përballë kryeministrisë e ka marrë fjalën aleati i Sali Berishës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ish-presidenti akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kërkon që përpos “uzurpimit të PS-së,” siç u shpreh ai, të marrë edhe vulën e Partisë Demokratike.
Meta iu referua kreut të qeverisë si një njeri me “të meta mendore, të karakterit, por edhe probleme politike”, ndërsa theksoi se PS-ja është kthyer tashmë në një bandë mafioze që ka bërë kompromise për të siguruar pushtetin.
“I tmerruar nga fjala e lirë, nga firmat që ka hedhur fët e fët… Jemi këtu sepse është tronditur në themel siguria juridike, parim themelor i Kushtetutës tonë. Këtij të marri nuk i mjafton që uzurpoi PS-në dhe e shndërroi në bandë plaçkitëse...Tani kërkon të marrë edhe vulën e PD-së. Ky njeri me probleme të mëdha mendore, karakteriale, politike, sot është në panikun e presioneve nga më mafioze që ushtrohen nga të gjithë ata mbështetjen e të cilëve kërkoi për të marrë pushtetin. Sot është më i mjerë se asnjë tjetër. Nuk ka më asnjë justifikim për këtë shkatërrim që i bëri shtetit.”
Kreu i Partisë së Lirisë u premtoi protestuesve të pranishëm se së shpejti në kryeqytet do të festojnë fitoren e Belind Këlliçit dhe në çdo bashki tjetër atë të kandidatëve demokratë. (A2 Televizion)