
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur në njëvjetorin e pushtimit se do të donte një takim dypalësh me liderin kinez Xi Jinping.
Kur u pyet në një konferencë për mediat të mbajtur në Kiev sesi planifikon të bëjë në anën e tij vendet që janë larguar gjeopolitikisht nga Ukraina, Zelensky tha se planifikon të takohet me Xi.
"Unë besoj se kjo do të ishte e dobishme si për shtetet tona ashtu edhe për sigurinë në botë", tha ai, duke shtuar se Kina dhe Ukraina kanë shumë qarkullim tregtar.
Ndërkohë, Kina nuk ka dhënë asnjë tregues se një takim midis Xi dhe Zelensky-t mund të jetë i mundur.
"Nuk është vetëm çështje lufte. Ne jemi vende që jemi të interesuar të ruajmë një marrëdhënie ekonomike," vazhdoi Zelensky.
“Me sa di unë, Kina e respekton integritetin territorial, historikisht e ka respektuar dhe prandaj duhet të bëjë gjithçka që mundet që Federata Ruse të largohet nga territori ynë, sepse kjo do të nënkuptonte respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial”.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se është e nevojshme të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara, dhe nëse Kina pajtohet me këtë, atëherë kjo do të thotë se mbështet "formulën e paqes" të paraqitur nga Ukraina, e cila i bën thirrje Rusisë të largohet nga çdo pjesë e asaj që njihet ndërkombëtarisht si territor ukrainas. (A2 Televizion)