Rrugëtim mes një vendi në luftë
Special Report: Jul Kasapi, Endrit Myftari. Producent: Adri Myftiu. Drejtor i Informacionit: Elert Yzeiri.
Nga kufiri polak deri në Kiev duhet të përshkohen 635 kilometra.
Rruga bëhet pa ndalesa pasi në orën 23:00 e gjithë Ukraina hyn në shtetrrethim.
Ajo që të bën përshtypje sa më shumë i afrohesh kryeqytetit është mungesa e energjisë elektrike.
Prej kohësh Rusia po tenton të ndërpresë furnizimin me energji por edhe ujë të pijshëm për miliona rezidentë duke nisur kështu një tjetër fushatë terrori e cila shkel dhe ligjet ndërkombëtare.
Por pavarësisht sulmeve në infrastrukture ukrainasit kanë gjetur mënyrat për t'i rezistuar.
Rrugë të mbushura me gjeneratorë janë bërë pjesë e jetës së përditshme për çdo qytetar.
Ndonëse në pamje të parë duket se gjithçka është normale në Kiev sërish shkatërrimi të rikujton se vendi është në luftë prej një viti.
Mjafton të largohesh pak kilometra nga kryeqyteti në rrethinat e tij dhe shenjat e luftës shkatërrimtare bëhen më të dukshme.
Për këtë me dhjetëra vullnetarë vijojnë të përgatiten për luftë në baza të krijuara rishtazi.
Dronët e fitores trajnojnë me qindra të rinj se si teknologjia mund të ndihmojë në një luftë ku numrat ushtarakë nuk favorizojnë Ukrainën.
Në sheshin Sophia tanket ruse të shkatërruara janë aty për të treguar se populli Ukrainas mund ta fitojë këtë luftë.
Pak më poshtë me dhjetëra monumente janë mbuluar me thasë dheu për t'i shpëtuar bombardimeve e pas tyre lutjet për ndihmë drejtuar Botës.
Sheshi Maidan mban dhe një ndër memorialët e heshtur të humbjeve në radhët e ushtrisë ukrainase.
Ndonëse në kohë lufte mbledhjet e qytetarëve kanë qenë të ndaluara, në këtë pjesë të qytetit familjarët janë lejuar të nderojnë kujtimin e të afërmve të tyre të rënë në Luftë.
Arsenalna, stacioni i metrosë në kryeqytetin e Ukrainës që në kohën e Luftës së Ftohtë, llogaritet jo vetëm si stacioni më i thellë në botë por edhe si streha e milionave kur nisi lufta.
Për të lënë Kievin dhe drejtuar Irpinit apo Buchas përgjatë rrugës sheh dhe urën e jetës. E shkatërruar nga ushtria e Ukrainës një vit më parë për të mos lejuar avancimin e rusëve drejt kryeqytetit.
Në Bucha shenjat e masakrës që i morën jetën më shume se 450 civilëve kanë shkretuar qytetin.
Shkatërrimi duket dhe në blloqet e banimit por jo vetëm.
Më shumë se 600 kilometra të tjerë për të mbërritur në frontin e luftës.
Në rajonin e Donetsk situata është krejt ndryshe. Mbërritja në Kramatorsk pasoi me bombardimin e vazhdueshëm të qytetit.
Raketat Balistike ruse goditën një pallat civilësh, edhe pse gjithmonë Rusia ka pretenduar se nuk ka asgjë kundër banorëve të Ukrainës.
Për të vijuar më tutje, në Chasiv Yar, vetëm 4 kilometra larg frontit të luftës e cila nuk zhvillohet mes këmbësorve, por mes artilerisë së rëndë.
1 vit luftë ka detyruar të shpërngulen me miliona. Edhe ky qytet si shumë të tjerë është kthyer në një fantazmë, banorët e paktë të së cilës presin të evakuohen. (A2 Televizion)