
Imazhet e katedrales më të famshme në botë, të mbërthyer nga flakët e pamëshirëshme, mbajtën pezull frymën në të gjithë botën më 15 prill të 2019-tës.
Pas zjarrit, puna për shpëtimin dhe rindërtimin e Notre Dame, është shtyrë disa herë përtej afatit, për shkak të rrezikut të mbetjeve toksike në ajër, stuhive dimërore dhe tani pandemisë së koronavirusit.
Një teori është se një qark i shkurtër pasditen e 15 prillit, nxiti një shkëndijë në papafingon e katedrales. Flakët shpërthyen më pas në çatinë me përbërje lisi, duke shkrumbuar kullën emblematike me majë, ndërsa parisienët e grumbulluar rreth Senës dhe e gjithë bota, shihnin të tmerruar fatin e "Zonjës sonë".
“Mbaj mend se atë ditë gjendesha në një rrugë pranë katedrales dhe pashë tymin që po ngrihej mbi të - i thashë vetes “Një tragjedi po ndodh”, kujton Patrich Chauvet, rektor i Notre Dame.
Një vit më vonë, sensorët e lëvizjes tregojnë se struktura gotike nuk ka zhvendosje e megjithatë mbetet ende e pasigurtë. Me 67 milionë banorë të Francës në izolim për shkak të koronavirusit, puna delikate për t’i kthyer Notre Damit lavdinë e mëparshme, u ndal plotësisht.
Masat e distancimit social dhe barrierat e sigurisë të vendosura nga autoritetet, nënkuptojnë se askush, përfshirë punëtorët nuk mund të afrohen atje. Kur presidenti Emanuel Macron njoftoi urdhrin e qëndrimit në shtëpi më 17 mars, punëtorët sa do të fillonin çmontimin e mijëra copëzave të skelave, të ngjitura në një masë të rrëmujshme si pasojë e zjarrit.
Kur shpërthyen flakët, në katedrale po kryheshin punime mirëmbajtëse. Zhvendosja e mbetjeve të skelave do të bëhej në vjeshtë, por punimet u shtynë si pasojë e një hetimi për përhapjen e plumbit toksik gjatë zjarrit, e më pas nga stuhitë dimërore.
Të Premten e Madhe, para Pashkëve katolike, aktiviteti fetar rinisi për një kohë të shkurtër, ndërsa Arqipeshkvi i Parisit Michel Aupetit u lut për viktimat e pandemisë.
“E rëndësishme është se mund të ndjejmë sërish jetën në katedrale , mund të lutemi e mund të këndojmë sërish atje brenda”, tha arqipeshkvi.
Solidariteti dhe ndjeshmëria për atë që konsiderohet si trashëgimi botërore ishte i madh në ditët që pasuan tragjedinë. Por nga 901 milionë eurot e premtuara prej donatorëve të ndryshëm rreth botës, është grumbulluar vetëm një e pesta e parave. (A2 Televizion)