
Përgatituni që të flakni telekomandën: Samsung po zhvillon një sistem që do t’ju lejojë të ndërroni kanalet e televizorit tuaj thjesht duke e menduar!
Nuk është fantashkencë. Projekti i quajtur “Ponthius”është pjesë e një bashkëpunimi mes kompanisë koreano-jugore dhe Qendrës së Neuropsikiatrisë të Lozanës në Zvicër dhe synimi primar i tij është që t’i japë mundësi njerëzve me aftësi të kufizuara që të shohin emisionet e tyre të preferuara pa ndihmën etë tjerëve.
Një prototip është prezantuar javën e kaluar në San Francisco dhe rezultatet duken premtuese. “Po bëjmë një sistem tepër kompleks dhe shumë më të zgjuar se çdo tjetër i prodhuar deri më tani, por të mos harrojmë se ai do të ndërveprojë me njerëzit”, tha Ricardo Chavarriaga, pjesë e skuadrës që po merret me projektin.

Momentalisht shkencëtarët po gjurmojnë valët e trurit për të përcaktuar se si sillet mendja njerëzore kur dëshiron të shohë një film. Në të ardhmen sistemi mund të përmirësohet aq shumë sa njeriu të jetënë gjendje të mendojë dëshirën e tij e më pas ta konfirmojë lëvizjen përmes mbylljes së qepallave të syve.
Por edhe pse kjo teknologji do t’u vijë në ndihmë kryesisht personave të paralizuar, dita kur do të përdoret gjerësisht duket pak e largët. Për momentin, sistemi funksionon vetëm përmes vendosjes së një helmete metalike në kokë që do të ishte e vështirë të montohej në dhomën tuaj të ndenjes... (A2 Televizion)