
Pas 6 muajsh te Barcelona, Pierre-Emerick Aubameyang mund të largohet nga klubi katalanas. 33-vjeçari, pavarësisht se u përshtat shpejt me skuadrën e Xavit, mund t’i japë lamtumirën më shpejt seç pritej.
Me arrjen e Lewandowski, hapësirat e tij për të luajtur bëhen të pakta dhe për këtë po mendon rikthimin në Premier League. Në mediat angleze thuhet se Chelsea ka nisur negociatat me Barcelonën, edhe pse ende nuk ka dhënë një ofertë zyrtare. Deri më tani, Chelsea ka siguruar shërbimet e Raheem Sterling, por Thomas Tuchel kërkon një tjetër sulmues në radhët e tij pas largimit të Romelu Lukakut.
Edhe pse Aubameyang ishte një rival për “Blutë” e Londrës në 4 vitet që luajti me Arsenal, tifozët e veçanërisht tekniku Tuchel dëshirojnë ta kenë në skuadër. Ky tranferim nuk do t’i linte një shije të mirë “Topçinjve”, që prej shumë kohësh ishte shndërruar në idhullin e tifozëve.
Dëshira e Aubameyang është të qëndrojë në Barcelonë, por siç ka theksuar dhe vetë lojtari në konferencat për shtyp, ai nuk do t’i bëhet barrë klubit dhe për këtë arsye do të pranonte rikthimin në Premier League.
Në 6 muajt me fanellën katalanase, Aubameyang u aktivizua në 17 ndeshje dhe shënoi 11 gola. (A2 Televizion)