
Viti i Ri hebraik bëri bashkë spektrin politik të Kosovës. Në një event të organizuar për këtë festë, morën pjesë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri, Avdullah Hoti, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe përfaqësues të partive të tjera. Temë kryesore natyrisht ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit që erdhi përmes marrëveshjes historike të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
“Është festë që shënon njohjen reciproke Kosovë-Izrael”, tha kryeministri Avdullah Hoti. “Komuniteti hebraik i Kosovës është hallkë e rëndësishme në këto marrëdhënie”.
“Nuk ka dy popuj që i kuptojnë vuajtjet e njëri-tjetrit më mirë sesa populli ynë dhe populli i Izraelit”, tha kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu, iu drejtua popullit të Kosovës me një letër për “Rosh Hashanah”, festë që njihet si Viti i Ri hebraik. Ai thotë se po i zgjat dorën e miqësisë popullit të Kosovës, teksa vlerëson se zhvillimet mes Izraelit dhe Kosovës mund të jenë pikënisje të një epoke të re. (A2 Televizion)