
Milan dhe Napoli kanë ndarë nga një pikë duke mos shkuar dot më larg se një barazim pa gola në sfidën më të rëndësishme të ditës në Serie A. Edhe pse arriti të bënte debutimin e tij me fanellën kuqezi vetëm pak ditë pas transferimit nga Genoa, Piatek nuk mundi të ndihmonte skuadrën e tij të re të merrte një fitore. Polaku, i cili deri tani në Serie A ka shënuar 13 gola, luajti vetëm 20 minuta pasi Gattuso kishte zgjedhur si titullar Patric Cutronen, ndërsa kishte hedhur titullar në fushë talentin e ri brazilian, Lucas Paqueta.
Nga ana tjetër, Ancelotti duket se ka humbur totalisht besimin te Hysaj, i cili edhe në këtë sfidë të rëndësishme për Napolin ishte lënë në stol dhe nuk luajti për asnjë minutë.
Megjithatë ishte Napoli që pati mundësinë e parë të mirë me Callejon që në minutën e 6, por Donnarumma arriti të dërgonte topin në goditje këndi. Katër minuta më pas ishte Cutrone nga ana tjetër që mund të kishte shënuar, por nuk u tregua i saktë.
Edhe në pjesën e dytë Napoli u nis më i vendosur në sulm, duke iu afruar golit me Milik dhe Zielinski, ndërsa dhjetë minuta nga fundi ishte portieri i miqve, Ospina, që bëri mrekullinë kur i mohoi golin Mateo Musacchios, me mbrojtësin që kishte dalë për të ndihmuar repartin e avancuar. Në fund, Napoli e mbylli edhe me dhjetë vetë, pasi Fabian Ruiz përjashtohet pas të verdhës së dytë.
Rezultati nuk ndryshon asgjë për të dy skuadrat në renditje, Napoli mbetet në vend të dytë, tashmë shumë larg Juventusit kryesues, ndërsa Milan duket i konsoliduar në vend të katërt, që do të garantonte rikthimin në Champions League sezonin e ardhshëm. (A2 Televizion)