
Gazetarja Anila Hoxha, e ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, komentoi krimin e rëndë që ndodhi në Fier, ku një 38-vjeçar vrau dhe groposi një fëmijë.
Sipas saj, “fakti që ngjarje të tilla makabre ndodhin vit pas viti në Shqipëri, tregon se për personat me çrregullime të shëndetit mendor, nuk po bëhet asgjë”.
“Rasti konkret tregon se jo vetëm institucionet përgjegjëse për Klodianin, por edhe ato të drejtësisë, dështuan. Ndaj Klodianit, për një ngjarje po kaq të rëndë, por pa viktimë, prokuroria nuk firmosi asnjë urdhër për akt ekspertimi psikiatriko-ligjor. Gabimi i dytë ishte se si u kualifikua vepra, në rrethana shumë lehtësuese. Nga pengmarrje, ky person u shpall fajtor për heqje të paligjshme të lirisë. Klodian Çalamani, edhe pse bëri 4 vite burg, e pamë që nuk u rehabilitua, pasi u kthye në vrasës. Pra, ka dështuar edhe sistemi penitenciar, pasi burgu nuk është për të mbyllur njerëzit brenda, por edhe për t’i rehabilituar ata”, shpjegoi Anila Hoxha.
Gazetarja shtoi: “Nëna e vajzës 16-vjeçare tregoi se kishte frikë nga Klodiani, se nuk i fliste atij. Të njëjtën frikë e tregonin edhe banorët e tjerë. Këtu vijmë te policia, që merr informacion për shtetas që kanë patur kurrikulum kriminal. Askush nuk e bën punën siç duhet. Shërbimi komunitar nuk funksionon. Duhet rritur presioni pozitiv ndaj institucioneve, që të marrin përgjegjësitë e tyre. Ligjet në vetvete janë shumë të mira, problemi është se kur vjen puna te veprimi, gjithçka bëhet nul”. (A2 Televizion)