“Nuk shohim shenja serioziteti”, SHBA skeptike për bisedimet: Rusia tjetër thotë dhe tjetër bën

Nga A2 CNN
29 Mars 2022, 20:47 | Bota
“Nuk shohim shenja serioziteti”, SHBA skeptike për bisedimet:

Presidenti amerikan, Joe Biden, zhvilloi një bisedë telefonike me aleatët europianë, me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit të pushtimit rus në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se telefonata zgjati rreth një orë dhe se në të mori pjesë presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri Italian, Mario Draghi dhe ai britanik, Boris Johnson.

Më pas Biden priti në një takim në Zyrën Ovale, kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong, me të cilin diskutoi për kërcënimin që përbën Rusia për Europën dhe zonën e Indo Paqësorit. “Rendi botëror bazë po përballet me sfida të paprecedenta”, u shpreh presidenti amerikan.

Ndërsa sekretari i shtetit, Antony Blinken, u shpreh skeptik për progresin e shënuar në negociatat për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës në takimin e Stambollit. Ai pretendoi se Moska nuk është serioze në angazhimet për paqe.

“Unë nuk kam parë diçka që sugjeron se kjo po ecën përpara në një mënyrë efektive pasi nga Rusia nuk po shohim shenja serioziteti. Por nëse Ukraina arrin në përfundimin se ka, kjo është mirë dhe ne mbështesin atë. Unë do t'ua lija partnerëve tanë ukrainas të karakterizojnë nëse ka ndonjë përparim të vërtetë dhe nëse Rusia po angazhohet në mënyrë domethënëse. Ajo që mund të them është kjo. Në njërën anë kemi atë çfarë thotë Rusia dhe në anën tjetër atë çfarë bën Rusia. Ne jemi të fokusuar te kjo e fundit”, tha Blinken. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos