Nuk u përjashtua Rusia e Bjellorusia, KQZ tërheq anëtarësimin nga Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës

Nga A2 CNN
10 Mars 2022, 13:45 | Politikë
Nuk u përjashtua Rusia e Bjellorusia, KQZ tërheq

Komisionieri Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tërheq anëtarësimin nga Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës si pasojë e mospërjashtimit të KQZ-ve të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën pjesë që prej themelimit në ACEEEO - Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës, e cila përbëhet nga KQZ-të e 25 vendeve evropiane, si dhe një sërë trupash të tjera që administrojnë zgjedhjet në vendet përkatëse.

“KQZ e Shqipërisë duke qenë se ka mbajtur dy herë presidencën e përvitshme të ACEEEO-s gëzon statusin e anëtarit të përhershëm të Asamblesë së Përgjithshme, organit qeverisës të krejt organizatës.

Asambleja e Përgjithshme e ACEEEO-s pas një mbledhje të jashtëzakonshme online i hapi rrugën votimit për përjashtimin e KQZ-ve të Rusisë dhe Bjellorusisë, si pasojë e agresionit të tyre në Ukrainë. Votimi u mbajt në datën 4 Mars 2022. Në kontakt edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europën, KQZ votoi PRO për përjashtimin e KQZ-ve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Për mungesë kuorumi, përjashtimi nuk u mundësua”, tha Celibashi.

“Ndërkohë disa anëtarë të kësaj organizate, si KQZ e Sllovenisë, Kroacisë, Polonisë dhe të tjerë menjëherë njoftuan me shkrim tërheqjen nga anëtarësimi në ACEEEO. Në emër të KQZ-së së Shqipërisë në datën 09 Mars 2022, njoftova me shkrim ndërprerjen e menjëhershme të anëtarësimit të Shqipërisë në ACEEEO pasi vlerësoj se KQZ e Shqipërisë nuk ka asnjë arsye të vazhdojë të jetë anëtare e kësaj organizate”.

“Sistemet politike dhe shoqërore të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk mund të kenë institucione të administrimit zgjedhor të paanshëm, të pavarur dhe të lirë. KQZ e Kosovës gjithashtu do të largohet nga kjo organizatë. Ndërkohë KQZ-së së Ukrainës i shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, të institucionit që përfaqësoj dhe të çdo shqiptari, në këto ditë tejet të vështira për vendin e tyre”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos