25 trupa të pajetë u nxorën nga uji të hënën vonë në mbrëmje, ndërsa vazhdojnë kërkimet për 9 të tjerë, të cilët humbën jetën në një varkë që mori flakë pranë ishullit të Santa Cruz në Kaliforni. Në total 34 viktima nga 39 persona në bordin e varkës së mbushur me të apasaionuar pas zhytjeve në thellësi.
Mes viktimave edhe një vajzë 17-vjeçare, e cila po festonte ditëlindjen me prindërit. Varka mori flakë në orët e para të mëngjesit të së hënës. Autoritetet kanë bërë publik edhe mesazhin e kapitenit të varkës, Jerry Boylan, i cili i thotë Rojes Bregdetare se të gjithë pasagjerët kanë ngecur nën kuvertë dhe nuk kanë asnjë mundësi daljeje. “Janë 33 persona në varkën në flakë. Nuk mund të dalin prej aty”, dëgjohet të thotë kapiteni. i pyetur nëse mund t’i ndihmojë, kapiteni dëgjohet vetëm të thotë “Nuk mund të marr frymë”.
Nga pjesëtarët e ekuipazhit që u shpëtuan, vetëm njëri kishte dëmtime të lehta. Ata u dërguan në breg, ndërsa kapiteni vendosi të qëndronte pranë varkës së tij për të ndjekur operacionin. Shkaku i zjarrit nuk është ende i qartë, por autoritetet thanë se deri tani nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte se bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, apo për ndonjë vepër tjetër penale.
Në faqen e internetit të kompanisë që kishte në pronësinë varkën thuhej se ajo kishte kryer ekspedita zhytjeje që prej viteve 1970. Personat në bord kishin paguar secili nga 665 dollarë për tre net qëndrimi në varkë, ku kanë pasur mundësi të eksplorojnë thellësitë e oqeanit Paqësor. (A2 Televizion)