
“Bëhuni gati për Brexit”. Kështu është quajtur fushata informuese mbi shkëputjen nga Bashkimi Europian, e cila nisi të dielën me promovimin e një faqeje dedikuar Brexit-it në faqen e qeverisë.
Tabela dhe reklama në mediat sociale do të shfaqen më vonë gjatë muajit. Majkëll Gove, i ngarkuar me hartimin e planeve për divorcin pa ujdi, tha se reklamat do të inkurajojnë përgjegjësinë e përbashkët për shkëputjen që pritet të ndodhë në 31 tetor.
“Nuk është vetëm një çështje e rëndësisë kombëtare, por një përgjegjësi e përbashkët”, ishin fjalët e Gove.
Është raportuar se fushata mund të kushtojë rreth 100 milionë paund. Ministri i kabinetit u kritikua më herët nga një shoqatë tregtare, pasi deklaroi se nuk do të kishte mungesa në ushqime në rastin e një shkëputjeje pa ujdi. Kjo, sipas biznesmenëve, është totalisht e pavërtetë. (A2 Televizion)