Gra që qajnë, të mbijetuar, pritje në radhë për bukë, kërkime për trupa nën rrënoja dhe shpërndarja e ndihmave. Është kjo panorama pas 38 orësh e epiqendrës së tërmetit në Kahramanmaras të Turqisë.
Ndërkohë që ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë nxjerrjen e trupave nga rrënojat, në videon e publikuar nga Reuters, shihen të mbijetuarit e epiqendrës së tërmetit që qajnë për të afërmit e humbur, ndërtesat e shembura, teksa ankohen edhe për ndihmën e vonë, por edhe me lutjen për të mos i braktisur.
Një nga të mbijetuarit shprehet: "Të gjitha ndërtesat janë shembur këtu, janë shkatërruar plotësisht, nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Nuk ka objekte në këmbë. Ne presim këtu që nga dje, ndihma sapo ka ardhur. Fatkeqësisht ata u vonuan".
Në video shihen trupa me uniformë që shpërndajnë ndihma dhe ushqim për ta. Një tjetër i mbijetuar ankohet për Marashin, zonën tjetër të goditur nga tërmeti tragjik.
"Pse nuk e ndihmojnë Marashin, ju lutem filmoni këta njerëz, kam që në prën 6 të mëngjesit në në radhën e tendës, po pres në radhën e bukës dy ditë, jemi të pafuqishëm, për Zotin mos na braktisni. Kjo nuk është drejtësi, të gjithë po luftojnë." (A2 Televizion)














