Pentagoni kufizoi aksesin në dokumente: Jack Teixeira zbuloi sekretet amerikane, shërbente si gardian

Nga A2 CNN
13 Prill 2023, 19:17 | Bota

Personi i dyshuar për publikimin e dokumenteve sekrete të Pentagonit dhe inteligjencës amerikane është identifikuar si Jack Teixeira. Kështu raporton media CBS duke cituar zyrtarë të Shteteve të Bashkuara.

Më herët edhe gazeta New York Times raportoi se bëhej fjalë për një person me të njëjtin emër, i cili ishte dhe lideri i një grupi çati për video-lojra. Madje kjo media shkruante se 21-vjeçari ishte anëtar i gardës kombëtare ajrore që shërben në një sektor të inteligjencës në Masaçusets.

New York Times intervistoi dhe disa anëtarë të grupit të Teixeira-s, me njëri prej tyre që konfirmoi se e njihte personi që nxori sekretet e Pentagonit për të paktën 3 vitet e fundit. FBI nuk ka identifikuar ende një të dyshuar për rrjedhjen e të paktën 50 dokumenteve sekrete.

Pentagoni ka marrë masa duke kufizuar ndjeshëm aksesin në materialet sensitive dhe sekrete, ndërsa po kryen një hetim për të zbuluar burimin e rrjedhjes së dokumenteve.

Përveç vlerësimeve për luftën në Ukrainë, lëvizjeve të disa shteteve për ta ndihmuar Kievin ose Moskën me armë, në dokumente është shfaqur dhe një informacion se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar sistematikisht shefin e OKB Antonio Guteres.

Sipas informacioneve sekrete, Uashingtoni vlerëson se Guterres ka qenë i gatshëm të mbrojë interesat ruse dhe se është treguar shumë i butë me të.

Lidhur me zhvillimet në Pentagon ka reaguar dhe presidenti amerikan, Joe Biden. Kreu I Shtëpisë së Bardhë u shpreh i shqetësuar për rrjedhjen e dokumenteve "top secret”, por nënvizoi se nuk sheh rreziqe imediate për vendin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos