
Organizata Botërore e Shëndetësisë aprovoi për përdorim emergjent, vaksinën e kompanisë indiane Bharat Biotech, duke i hapur rrugën përdorimit të saj në shumë vende të varfra.
OBSH njoftoi se grupi i këshilluesve teknikë kishte arritur në përfundimin se përfitimet nga vaksina e njohur si Covaxin, i tejkalonin në mënyrë të konsiderueshme rreziqet dhe se ajo i përmbushte standardet për mbrojtjen nga Covid-19.
U vlerësua gjithashtu se vaksina ishte jashtëzakonisht e përshtatshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme për shkak të kushteve të thjeshta për ruajtjen e saj.
Vendimi u shty në kohë, pasi grupi i këshilluesve kërkoi sqarime të mëtejshme nga kompania indiane para se të bënte vlerësimet përfundimtare për përdorimin global të saj. Ekspertët e OBSH-së rekomanduan që vaksina të jepet në dy doza, në një interval prej 2 javësh, te grupmosha mbi 18 vjeç.
Covaxin mori dritën jeshile për përdorim në Indi në muajin janar, para se të përfundonte fazën e fundit eksperimentale, që më vonë zbuloi se vaksina ishte 78 për qind efikase kundër sëmundjes së rëndë.
Vendimi i OBSH-së pritet të ndihmojë miliona indianë që janë imunizuar me Covaxin të udhëtojnë jashtë vendit. Do të lejojë gjithashtu kompaninë Barat Biontech të shpërndajë vaksinën në vendet që mbështeten tek udhëzimet e OBSH-së për vendimet rregullatore. (A2 Televizion)