OBSH ngre alarmin: 1 në 6 njerëz në mbarë botën preken nga infertiliteti

Nga A2 CNN
4 Prill 2023, 16:04 | Bota
OBSH ngre alarmin: 1 në 6 njerëz në mbarë botën preken

Rreth një në gjashtë njerëz në mbarë botën përballen me infertilitet në një moment të jetës së tyre. Në këtë përfundim ka arritur një raport i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), i cili tregon se asnjë kontinent nuk është më mirë.

"Kjo është një çështje globale që prek njerëzit në të gjitha vendet dhe në të gjitha sferat e jetës", u tha gazetarëve Dr Gitau Mburu, një shkencëtar i fertilitetit në OBSH.

Agjencia shëndetësore e përkufizon infertilitetin si "një sëmundje e sistemit riprodhues të mashkullit apo femrës e përcaktuar nga dështimi për të arritur një shtatzëni pas 12 muajsh ose më shumë të marrëdhënieve të rregullta seksuale të pambrojtura".

Vlerësimet e mëparshme të OBSH-së që i përkasin periudhës 1990 deri në 2021 sugjerojnë se 48 milionë çifte dhe 186 milionë njerëz jetojnë me infertilitet në mbarë botën.

“Në bazë të të dhënave që kemi, nuk mund të themi se infertiliteti është në rritje apo konstant", tha Dr James Kiarie, Shefi i Kontracepsionit dhe Kujdesit të Fertilitetit të OBSH-së.

Raporti zbuloi gjithashtu se prevalenca e infertilitetit ndryshon pak nga një rajon gjeografik në tjetrin. Prevalenca gjatë gjithë jetës së infertilitetit dhe përqindja e një popullsie që e ka përjetuar njëherë atë në jetën e tyre ishte 17.8 për qind në vendet me të ardhura të larta dhe 16.5 për qind në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Përpjekja për të mbetur shtatzënë mund të ketë gjithashtu pasoja të gjera në jetën e njerëzve të prekur, nga ankthi dhe depresioni te stigma sociale dhe dhuna në familje.

Në çdo moment në kohë, rreth 12.6 për qind e popullsisë globale lufton me infertilitetin. Kjo përqindje ishte më e larta në rajonin afrikan të OBSH-së, me 16.4 për qind, dhe më e ulëta në Rajonin e Mesdheut Lindor, me 10 për qind.

Megjithatë, raporti thekson se mungesa e të dhënave të disponueshme në shumë vende e bëri të vështirë krahasimin në detaje të barrës së infertilitetit në mbarë botën dhe kërkon përmirësime në mënyrën se si kryhen kërkimet mbi infertilitetin, në mënyrë që të dhënat e ardhshme të jenë më të qëndrueshme dhe më të lehta për t'u krahasuar.

Raporti i OBSH-së nuk jep një ndarje të infertilitetit mashkullor dhe femëror. Steriliteti mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh të ndryshëm, në sistemin riprodhues të mashkullit ose të femrës, ose në të dyja. Në disa raste, shkaqet e infertilitetit mbeten të pashpjegueshme.

Ndërsa teknikat e riprodhimit të asistuar si fekondimi in vitro (IVF) janë të disponueshme për më shumë se tre dekada, OBSH-ja tha se këto teknologji janë të paarritshme dhe të papërballueshme në shumë pjesë të botës, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Në shumicën e vendeve, trajtimet e fertilitetit financohen kryesisht nga xhepi. OBSH-ja u bën thirrje qeverive të përmirësojnë parandalimin, diagnostikimin dhe kujdesin e infertilitetit dhe të sigurojnë akses më të barabartë në trajtime të tilla si IVF. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos