
Të paktën 7031 civilë janë vrarë në Ukrainë që prej nisjes së luftës ruse, sipas një bilanci të ri të OKB-së. Megjithatë, ky është numri i viktimave të konfirmuara dhe bilanci real, është shumë herë më i lartë. Pjesa më e madhe e viktimave civile të regjistruara, thuhet të jenë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese me rreze të gjerë, mes të cilave bombardimet me artileri të rëndë, sisteme raketore me hedhje të shumëfishtë dhe sulme ajrore.
Vetëm pak ditë më parë, një bllok apartmentesh në Dnipro u godit nga një raketë ruse duke u marrë jetën të paktën 41 personave, në sulmin më vdekjeprurës për civilët në tre muaj. Trupi i një fëmijë u nxor nga rrënojat e pallatit të hënën.
Sulmi në Dnipro, sipas presidentit Zelensky, theksonte nevojën për vendime të shpejta e të koordinuara për furnizimet me armë të Ukrainës.
“Ajo që ndodhi në Dnipro, fakti se Rusia po përgatitet të rigjallërojë luftën, tregon se sa e rëndësishme është të merren vendime të reja dhe të ketë koordinim më të mirë për furnizimet me armë, për mbrojtjen e Ukrainës dhe lirisë”, tha Zelensky.
Të martën, Ukraina shkoi një hap para në qëllimin për të siguruar tanket perëndimore me të cilat shpreson të kthejë kursin e luftës; pasi Gjermania tha se kjo çështje do të jetë në krye të agjendës së ministrit të ri të Mbrojtjes. Tanket gjermane Leopard, të cilësuara si kali i punës së ushtrive europiane, shihen si zgjedhja e duhur për të ndihmuar Kievin, por ato nuk mund të dërgohen pa autorizimin e Berlinit, i cili deri më tani ka hezituar.
Me aleatët perëndimorë që pritet të takohen të premten në një bazë amerikane në Gjermani për të ripërtërirë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, Berlini është nën presion të shtuar për të tërhequr veton e tij. Nëse kjo ndodh do të ishte kthesa më e rëndësishme në mbështetjen perëndimore, deri më tani. Sakaq, një grup ushtarësh ukrainas mbërriti në SHBA për t’u trajnuar për përdorimin e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot, që do të mbrojë vendin nga sulmet raketore ruse. (A2 Televizion)