Olimpiada dhe COVID-19, Guinea tërhiqet nga lojërat, mbi 90 të infektuar në Tokio

Nga A2 CNN
22 Korrik 2021, 14:22 | Sporte të tjera
Olimpiada dhe COVID-19, Guinea tërhiqet nga lojërat, mbi 90 të

Me valën e pandemisë që po zgjerohet dita-ditës dhe kur kanë mbetur pak orë nga starti zyrtar i Tokio 2020, Guinea bëhet shteti i parë që anulon pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.

Vendimi u konfirmua nga ministri i Shëndetësisë së vendit afrikan. Guinea vendosi të mos e dërgojë skuadrën në eventin në Japoni, duke lënë në shtëpi pesë sportistët që duhej ta përfaqësonin.

Gjithsesi, çështja rrezikon të ketë edhe një prapaskenë. Edhe pse argumenti zyrtar lidhet me frikën nga pandemia, sipas burimeve pranë qeverisë, arsyeja e vërtetë për tërheqjen nga Olimpiada lidhet me problemet financiare të vendit.

Edhe mediat kanë theksuar që mungesa në Lojëra ndikohet nga vështirësitë ekonomike, më tepër se nga masat paraprake për mbrojtjen e shëndetit të atletëve.

Ndërkohë, në Japoni janë përditësuar rastet e të infektuarve në fshatin olimpik, mes sportistëve dhe zyrtarëve të delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse.

Nga personat e akredituar për të marrë pjesë në event, janë mbi 90 të prekur nga COVID-19 prej fillimit të korrikut. Sportistët apo përfaqësuesit e delegacioneve që rezultojnë të infektuar, detyrohen të largohen nga fshati olimpik, për të qëndruar të izoluar në hotelet e përcaktuara nga organizatorët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos