Olimpiada në Japoni, tifozët në gara në mënyrë të paligjshme

Nga A2 CNN
26 Korrik 2021, 12:04 | Sporte të tjera
Olimpiada në Japoni, tifozët në gara në mënyrë

Edhe pse Lojërat Olimpike në Tokio janë të mbyllura për spektatorët, për shkak të masave kufizuese të Covid-19, tifozët në Tokio shfrytëzuan rastin për të ndjekur garën e triathlonit.

Qindra fansa u pozicionuan rreth rrugës ku u zhvillua disiplina, pavarësisht thirrjeve të autoriteteve se duhet të qëndrojnë në shtëpi. Në Olimpiadën japoneze, atletët kanë konkurruar në impiante thuajse të boshatisura, ku të pranishëm kanë qenë vetëm sportistët, stafet teknike dhe delegacionet, përpos pak mediave të akredituara nga e gjithë bota.

Për njerëzit në Japoni, kufizimet për shkak të pandemisë, i dhanë fund ëndrrës që të ndiqnin turneun më të rëndësishëm sportiv. Por, edhe pse Tokio është në gjendje emergjence, për shkak të rasteve në rritje, tifozët përfituan nga rasti i parë për të ndjekur triathlonin.

Duke shfrytëzuar faktin që gara zhvillohet në ambient të hapur, ata u mblodhën në ishullin e Odaiba-s në gjirin e Tokios. Stafi organizator tentoi më kot t’i bindte që duhej të largoheshin, duke mbajtur tabela se “për të parandaluar përhapjen e infektimit, asnjë spektator nuk duhet të qëndrojë në rrugën ku zhvillohet gara”.

Triathloni për meshkuj u fitua nga norvegjezi Kristian Blummenfelt, i cili dominoi dhe mori medaljen e artë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos