
Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK, ka nisur këtë të mërkurë një operacion për kapjen e një personi që dyshohet se është kreu i një bande që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji, nga Shqipëria.
SPAK thotë se pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet norvegjeze, u grumbulluan të dhëna se shtetasi shqiptar me iniciale F.P. ka krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal i cili bënte të mundur që të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marijuhanë) në Norvegji, sasi këto që shiteshin nga përfaqësuesit e tij në këtë shtet.
“I hetuari F. P. ka arritur gjithashtu që të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike (kryesisht kokainë dhe marijuhanë) në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare. Të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dërgoheshin te shtetasi nën hetim F. P. dhe referentët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe kesh”, thotë SPAK në një njoftim zyrtar.
Për këtë person është dhënë edhe masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme dhe ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë, është ekzekutuar masa e sigurisë "arrest në shtëpi", për shtetasen me iniciale A.A., e konsideruar si bashkëpunëtore e F.P.
Të dy dyshohen për veprat penale “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit realizoi kontrollin e disa banesave dhe kontrollin personal të disa shtetasve në qytetet Tiranë dhe Lezhë. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të ndryshme me interes për hetimin. Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe hetimin financiar për të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, tha SPAK. (A2 Televizion)